Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka deklaruar se nuk do të marrë menjëherë një punë të re pasi të përfundojë periudha e tij në Etihad. Guardiola, që prej nëntë vitesh drejton skuadrën në veri të Anglisë, pranoi se pas kësaj periudhe ka nevojë për një pushim.
Guardiola mori drejtimin e City-t në vitin 2016 dhe do të kompletojë një dekadë në krye të klubit në fund të sezonit të ardhshëm. 54-vjeçari ka fituar gjashtë tituj të Premier League-s me një përqindje suksesi prej 67% dhe ka drejtuar ekipin në 533 ndeshje. Kontrata e tij aktuale skadon pas dy vitesh. Në një intervistë për GQ Hype, të cituar nga Mundo Deportivo, Guardiola tha se tashmë ka vendosur të marrë një pushim pas largimit nga City.
“E di që pas kësaj faze me Cityn do të ndalem, kjo është e sigurt, është e vendosur, madje më shumë se e vendosur. Do të largohem pas kësaj periudhe sepse kam nevojë të ndalem dhe të fokusohem tek vetja, tek trupi im,” deklaroi ai.
Guardiola më parë kishte marrë një vit pushim pas largimit nga Barcelona dhe para se të merrte drejtimin e Bayern Munich në sezonin 2012-13.
“Mendoj se e dija kur të ndalesha në momentin e duhur. E njëjta gjë më ndodhi edhe te Barça. Erdhi një moment që thashë mjaft, mjaft ishte. Duhet të kërkoj një sfidë tjetër,” shtoi ai.
Duke folur për shpërthimin e talentit të ri Lamine Yamal në një moshë kaq të re, Guardiola e konsideroi të parakohshme krahasimin me Lionel Messin.
“Mendoj se Lamine Yamal duhet të lejohet të ndjekë karrierën e tij. Dhe kur të ketë luajtur për pesëmbëdhjetë vjet, do të shohim nëse është më i mirë apo më i dobët. Fakti që e krahasojnë me Messin është një gjë e madhe. Është si të krahasosh një piktor me Van Gogh. Njerëzit do të thonë: ‘Wow, nuk është keq’, dhe kjo tregon se është i mirë. Por duhet ta lini të zhvillojë karrierën e tij i qetë,” tha Guardiola.
“Ato janë 90 gola në një sezon, për 15 vjet, pa ndalur dhe pa dëmtime. Është diçka e jashtëzakonshme. Lëreni të qetë. Lëreni të qetë.”
Guardiola gjithashtu hodhi poshtë idenë e një rikthimi në Barcelonë, qoftë si trajner apo në rol drejtues si president ose drejtor sportiv, gjë për të cilën ka pasur spekulime.
“Ka mbaruar. Ka mbaruar përgjithmonë. Ishte shumë e bukur, por tani ka përfunduar. Jo, nuk jam i përshtatshëm për të qenë president,” përfundoi ai./GazetaExpress/