Presidenti i klubit rumun Cluj, Cristi Balaj, ka reaguar pas disfatës 2:0 ndaj Argesit të dielën në xhiron e tretë të kampionatit.
Në këtë ndeshje, Meriton Korenica u aktivizua në pjesën e dytë, ndërsa Lindon Emërllahu mungoi për shkak të lëndimit.
Përveç Emërllahut, Cluji po përballet edhe me mungesa të tjera të rëndësishme.
Të dëmtuar mbeten Simao Rocha, Karlo Muhar dhe Mohammed Kamara, ndërsa Drilon Islami ende nuk është grumbulluar.
Balaj tha se është e pamundur të zëvendësohen këta lojtarë kyç për shkak të natyrës së lëndimeve të tyre.
“Fatkeqësisht, Simao nuk do të rikthehet, Muhar ka këputje ligamenti, Emërllahu lëndim muskulor dhe Kamara thyerje të kyçit të këmbës. Është e pamundur t’i zëvendësojmë, nuk kemi mundësi më të mira,” deklaroi ai për “Digisport”.
Reprezentuesi i Kosovës, Lindon Emërllahu, u lëndua më 17 korrik në fitoren 3:0 ndaj Paksit hungarez në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.
Ai po vuan nga një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë dhe pritet të mungojë për tri deri në katër javë./GazetaExpress/