Thashethemet e vazhdueshme në Spanjë që lidhen me Ibrahima Konate dhe William Saliba tregojnë se, në një farë mënyre, ekziston pasiguri mbi opsionet aktuale në mbrojtjen e Real Madridit – për të mos përdorur fjalën “dyshim”.
Megjithatë, transferimi i mbrojtësit të Arsenalit po duket gjithnjë e më shumë si një mision i pamundur.
Dhe mund të jetë një ish-anëtar i Atletico Madrid që do ta pengojë këtë lëvizje.
“Los Blancos” kanë identifikuar Saliban dhe mbrojtësin e Liverpoolit, Konate, si dy objektivat kryesorë për të përforcuar mbrojtjen e tyre, me këtë të fundit që mbetet pa kontratë verën e ardhshme.
Të dy klubet po përpiqen t’i mbajnë lojtarët e tyre me oferta të mëdha kontratash të reja, ndërsa qarkullojnë zëra se Real Madrid mund të synojë njërin prej tyre gjatë kësaj vere.
Javën e kaluar u raportua se Arsenali nuk është i shqetësuar nga interesimi i Real Madridit, pavarësisht se muajt e fundit është përmendur se Real Madrid është “i vetmi klub” për të cilin Saliba do të largohej nga “Topçinjtë”.
Madje ka pasur raportime se agjentët e tij janë takuar me drejtuesit e Los Blancos për të diskutuar bazën e kushteve të kontratës. Drejtori i sapoemëruar Sportiv, Andrea Berta, i cili u largua nga Atletico në janar, është ngarkuar me detyrën për rinovimin e kontratës së Salibas.
Dihet se Arsenali është në negociata për të zgjatur marrëveshjen e lojtarit që skadon në vitin 2027. Në një intervistë për AFTV (përmes Just Arsenal), gjatë kampit stërvitor të parasezonës, Saliba u pyet për kohën kur do të nënshkruante kontratën e re.
Ai u përgjigj: “Shpresoj së shpejti! Zoti është i madh”, dhe më pas shtoi: “Do të provojmë t’i fitojmë të gjitha këtë vit.”
Nga Madridi raportohet se nuk do të ketë afrime të reja në Santiago Bernabeu përveçse nëse largohen disa lojtarë. Nëse Liverpool nuk arrin të rinovojë me Konate dhe vendos ta shesë këtë verë, atëherë mund të hapen negociatat mes dy palëve./GazetaExpress/