Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Paris Guri i cili kishte kërkuar nga ajo “t’i kthente paratë”, duke ju referuar granteve që kanë marrë familjarët e saj nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli u shpreh se nuk ka marrë asnjë përfitim dhe rrjedhimisht nuk ka çfarë të kthejë.
Madje këtu ajo është munduar të ndërlidh me një bursë për shkollim që sipas saj motra e deputetit të LDK-së e ka fituar, e përzgjedhur nga Ministria e Kulturës, për të cilën ajo thotë se e ka marrë me meritë.
Madje paralelizmi shkon deri aty sa Pacolli e VV-së thotë se po të gjykonte njësoj si Guri, do t’i thoshte “ktheji paret”.
Reagimi:
Paris, e para, po thua ktheji paret, e unë po të them nuk kam çka të kthej sepse nuk kam marr asgjë.
E dyta, jam gëzuar shumë për lajmin që motra jote sivjet ka përfituar mbështetje vjetore financiare prej 15 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës që drejtohet nga Hajrulla Çeku për studime jashtë vendit. Ajo është në mesin e 77 të rinjve përfitues vetëm sivjet, të cilët do të bëjnë master e doktoratë në botë.
Ajo çka di me siguri të plotë është që motra jote është mbështetur sepse e ka merituar. Jo sepse është motra e deputetit, apo ka gjetur lidhje tjera për të përfituar.
Kjo mbështetje ka ndodhur në kohën e Qeverisë Kurti 2. Standardi që kemi ndërtuar ne është i thjeshtë – kush e meriton dhe i plotëson kriteret e thirrjes publike, përfiton! Motra jote do të shkollohet jashtë për t’i kontribuar shtetit tonë.
Me kutin tënd po të gjykoja do të thosha: Paris, ktheji paret!