Manchester United mund të jetë pranë realizimit të një transferimi të madh për një fitues të Ligës së Kampionëve, në një zhvillim befasues që pak kush e kishte parashikuar.
Sipas raportimeve të fundit, Manchester United po përgatit një lëvizje surprizë për portierin e Paris Saint-Germain, Gianluigi Donnarumma, i cili ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij.
Pas një sezoni zhgënjyes ku përfunduan në vendin e 15-të në Premier League, United kanë qenë aktiv në afatin kalimtar të verës, duke siguruar shërbimet e Diego Leon, Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo për një shumë totale prej 133.5 milionë funte.
Gjithsesi, priten ende përforcime të tjera dhe të dielën u raportua se Djajtë e Kuq mund të tentojnë një lëvizje për Donnarumma-n, me bisedimet për rinovimin e kontratës së tij në PSG që kanë ngecur.
Portieri italian ishte një nga lojtarët kyç në suksesin historik të PSG-së në Ligën e Kampionëve dhe pritet të renditet lart në listën e kandidatëve për Topin e Artë këtë vit, pas një sezoni fantastik ku ndihmoi klubin të fitojë tripletën.
Megjithatë, sipas Fabrizio Romano, PSG nuk ka arritur ende marrëveshje me ish-portierin e Milanit, dhe kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit 2025/26.
United thuhet se janë në pritje, duke marrë parasysh edhe paraqitjet jo të qëndrueshme të Andre Onana-s që nga transferimi i tij nga Interi në vitin 2023.
Sipas L’Equipe, edhe Manchester City po e ndjek situatën nga afër, pavarësisht rikthimit të afërt të James Trafford, për të cilin kanë paguar 27 milionë funte. Kjo vjen në një kohë kur ekziston pasiguri për të ardhmen e Ederson dhe Stefan Ortega.
PSG tashmë gati për jetën pa Donnarumma
PSG duket se po përgatitet për largimin e mundshëm të Donnarumma-s, pasi si L’Equipe ashtu edhe Romano raportojnë se klubi është pranë marrëveshjes me portierin e Lille, Lucas Chevalier.
23-vjeçari ka rënë dakord për kushtet personale të një kontrate pesëvjeçare me PSG-në, ndërsa negociatat me Lille për transferimin, që mund të kushtojë mbi 40 milionë euro, janë në fazat përfundimtare.
Donnarumma iu bashkua PSG-së me parametër zero në vitin 2021 dhe ka evoluar në një nga portierët më të mirë në botë, duke regjistruar 12 ndeshje pa pësuar gol sezonin e kaluar
Ai është favorit për të fituar për herë të dytë trofeun “Yashin” që i jepet portierit më të mirë të vitit dhe, pavarësisht situatës kontraktuale, pritet të kërkojë ende një pako të konsiderueshme transferimi dhe page nëse largohet nga Parisi. /GazetaExpress/