Marcus Rashford bëri debutimin e tij për Barcelonën të dielën ndaj Vissel Kobe, në një fitore 3-1 për skuadrën katalanase.
Detaje kanë dalë në dritë rreth një aspekti ku Barcelona dëshiron që Rashford të përmirësohet, pas një debutimi ku ai u fut si zëvendësues por u zëvendësua përsëri brenda 33 minutash.
Rashford iu bashkua Barcelonës më herët këtë sezon në formë huazimi nga Manchester United, me marrëveshjen që mund të bëhet e përhershme për 30.3 milionë funte.
Ai la përshtypje të shkëlqyera në stërvitjet e para me shokët e rinj të skuadrës dhe, sipas “El Chiringuito”, stafi i klubit u impresionua nga gjendja e tij fizike, duke e cilësuar si “në formë të shkëlqyer” në momentin e mbërritjes.
27-vjeçari debutoi në fitoren 3-1 kundër ekipit japonez Vissel Kobe, duke u aktivizuar si zëvendësues në vend të Raphinhës në krahun e majtë në stadiumin Misaki Park.
Rashford tregoi shkëndija të cilësisë së tij me topin në këmbë dhe pati rol kyç në golin e dytë të Barçës, kur depërtoi nga krahu dhe asistoi për Robert Lewandowskin, i cili më pas shërbeu për debutuesin Roony Bardghji që shënoi.
Megjithatë, habi shkaktoi zëvendësimi i Rashford vetëm 33 minuta pas hyrjes në lojë, për t’i dhënë vendin talentit 17-vjeçar Dro Fernandez, i cili shënoi golin e tij të parë dhe vulosi fitoren.
Barcelona identifikon fushën ku Rashford duhet të përmirësohet
Pas ndeshjes, trajneri Hansi Flick shpjegoi vendimin për ta larguar Rashford nga loja, duke theksuar se ai është “një javë prapa të tjerëve” në aspektin fizik dhe se klubi “do të kujdeset për të”.
Gazeta katalanase Mundo Deportivo u shpreh e inkurajuar nga paraqitja e Rashford, duke theksuar se ai “shfaqi klasë në të gjithë fushën” dhe se performanca e tij i pëlqeu Flick-ut.
Ata vlerësuan edhe kontributin e tij në mbrojtje, por gazetari Gabriel Sans theksoi se “të jetë më i vëmendshëm në ndërhyrje dhe në ndihmën mbrojtëse” është “një nga aspektet që stafi dëshiron të përmirësojë” te Rashford.
Vlen të përmendet se përkushtimi mbrojtës i Rashford është kritikuar më parë, dhe për të qenë pjesë e formacionit të Flick-ut, ai do të duhet të përmbushë detyrat e tij në mbrojtje, në një skuadër që synon të garojë për çdo trofe në sezonin e ardhshëm.
Kampionët e La Ligës rikthehen në fushë të enjten ndaj FC Seoul në Korenë e Jugut, ku Rashford do të kërkojë më shumë minuta.
Më pas ata përballen me një tjetër skuadër të K-League, Daegu FC, përpara se ta mbyllin parasezonin me ndeshjen tradicionale të Trofeut Joan Gamper ndaj ekipit të Cesc Fabregas, Como, më 10 gusht. /GazetaExpress/