Gjatë gjashtë orëve të fundit në Kosovë janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri, nga të cilat 35 mbeten ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar dhe janë nën kontroll.
Situata më e vështirë paraqitet në Komunën e Klinës, ku zjarret vazhdojnë të shkaktojnë dëme në fshatrat Siqevë dhe Resnikë. Megjithatë, fatmirësisht deri tani nuk janë regjistruar viktima apo persona të lënduar.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave bën të ditur se janë në terren me Njësitë e Zjarrfikësve duke menaxhuar situatën me të gjitha kapacitetet në dispozicion.
AME, tutje thekson se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit, ata janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë në numrat emergjentë 112, 193 ose 192”, thuhet në njoftim.
Agjencia falënderon zjarrfikësit për përkushtimin e tyre të palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe qytetarët për bashkëpunimin në këto momente kritike. /Klankosova.tv