Më shumë se 65 organizata joqeveritare kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Planifikimit Hapësinor, Sllaven Radunoviq, për shkak të deklaratës së tij se Mali i Zi duhet të mendojë nëse ka më shumë dëm apo dobi nga fakti që Kotori është nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Radunoviq më 24 korrik tha se mund të organizohet një referendum për qytetarët e Bokas lidhur me këtë çështje.
Kotori, një qytet mesjetar në Boka Kotorska, gëzon statusin e trashëgimisë botërore që nga viti 1979 për shkak të vlerave kulturore dhe arkitektonike.
Idenë për referendum e kanë hedhur poshtë autoritetet e Kotorit.
“Do të bëjmë çfarë duhet. Perla do të mbetet perlë”, tha kreu i Kotorit, Vladimir Jokiq.
Çfarë e motivoi ministrin të propozojë referendumin?
Deklarata e Radunoviqit erdhi pas mbledhjes së Komitetit për Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s në korrik në Paris, ku u vlerësua se ka pasur përkeqësim serioz të ruajtjes së zonës natyrore dhe historiko-kulturore të këtij qyteti.
U hap gjithashtu mundësia që Kotori të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.
Malit të Zi iu kërkua vendosja e një moratoriumi mbi projektet ndërtimore në zonën e mbrojtur, që përfshin pjesë të komunave Kotor, Tivat, Herceg Novi dhe Cetinje.
“Duhet të mendojmë nëse na sjell më shumë dobi të jemi në UNESCO apo më shumë përfitim nëse mund të ndërtojmë. Këto janë dëme të mëdha”, tha Radunoviq.
Ai shtoi se duhet hapur një debat publik mbi statusin e Kotorit.
“Dhe të shpallet një referendum për qytetarët e Bokas që të shihet çfarë do të bëhet më tej dhe nëse duhet ende të jemi në UNESCO”, shtoi ai.
Statusi i trashëgimisë botërore në rrezik?
Sipas raportit të UNESCO-s, është theksuar se Mali i Zi nuk ka përmbushur rekomandimet kyçe që janë përsëritur për vite me radhë.
Pikat problematike përfshijnë mungesën e ekspertëve, mungesën e një Studimi për Zonën e Mbrojtur, ligje të pakoordinuara dhe mungesë transparence në planifikim.
Për këtë arsye UNESCO kërkon ndalim urgjent të lëshimit të lejeve të ndërtimit, ndryshime të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndalim të shfrytëzimit të burimeve natyrore në zonën e mbrojtur…
Nevojitet gjithashtu një rishikim i planeve të zhvillimit urban për t’u përputhur me parimet e ruajtjes së vlerave të jashtëzakonshme universale, forcimi i institucioneve dhe krijimi i një sistemi transparent të menaxhimit.
Afati për zbatimin e masave përfundon në shkurt të vitit 2026.
Ministria e Kulturës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për koment mbi nismën e Radunoviqit, si dhe për pasojat nëse Mali i Zi nuk zbaton rekomandimet e UNESCO-s.
‘Jemi të barabartë me një fatkeqësi natyrore’
Kryetari i Komunës së Kotorit, Vladimir Jokiq, e hodhi poshtë idenë për referendum, duke theksuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore është një detyrim civilizues.
“Ruajtja e vlerave të jashtëzakonshme universale nuk mund të jetë objekt referendumi. As qeveria, as komuna, as qytetarët nuk duan të shkëputen nga qytetërimi”, tha Jokiq.
Ish-ministrja e Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq, vlerësoi se deklarata e Radunoviqit për një referendum të mundshëm përfaqëson një qëllim të rrezikshëm të qeverisë për të shkatërruar Boka Kotorskën dhe për ta fshirë atë nga harta e trashëgimisë botërore.
“Propozimi është absurd, jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe tregon një mosnjohje themelore të fakteve dhe standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Novakoviq Gjuroviq.
Edhe dega e Kotorit e Lëvizjes “Evropa Tani”, e kryeministrit Milojko Spajiq, deklaroi se janë kundër idesë për organizimin e çfarëdo referendumi.
“Çështjet zhvillimore dhe infrastrukturore të Kotorit dhe Boka Kotorska janë të rëndësishme dhe kërkojnë qasje serioze, por zgjidhjet duhet të kërkohen brenda kornizës që nënkupton ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike”, thanë nga Lëvizja “Evropa Tani”.
Arkitektja Biljana Gligoriq tha se Kotori mund të përfshihet së shpejti në listën e kuqe të UNESCO-s.
“Ka qenë një herë më parë në atë listë. Pas tërmetit. Ja si kemi kujdesur për të. Jemi të barabartë me një fatkeqësi natyrore për këtë perlë të planetit”, tha Gligoriq.
‘Statusi i UNESCO-s është njohje, jo pengesë’
Nëse Mali i Zi nuk i përmbush rekomandimet deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm, Kotori mund të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik – një regjistër ndërkombëtar i vendeve që përballen me kërcënime serioze ndaj vlerave universale.
Statusi i trashëgimisë botërore që gëzon Kotori nën mbrojtjen e UNESCO-s përfaqëson njohje për vlerat e tij të jashtëzakonshme universale, thuhet në deklaratën e 65 organizatave joqeveritare.
“Humbja e këtij statusi do të sillte pasoja afatgjata – rënie të besimit, ulje të investimeve, humbje të interesit nga partnerët ndërkombëtarë dhe dëmtim të reputacionit të shtetit”, deklaruan organizatat joqeveritare.
Heqja dorë nga statusi i UNESCO-s do të nënkuptonte lënien e hapësirës vetëm në dorën e logjikës së tregut, duke anashkaluar interesin publik dhe identitetin kulturor, u shpreh sektori civil.
Shembuj të humbjes së statusit të UNESCO-s
Në raste ekstreme, një lokacion mund të hiqet plotësisht nga lista e UNESCO-s, siç ndodhi me Luginën e Elbës në Dresden të Gjermanisë dhe me portin e Liverpulit.
Lugina e lumit Elba pranë Dresdenit ishte vendi i parë në Evropë dhe i dyti në botë që u hoq nga lista e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s.
Dresdeni është një nga qytetet e rralla në Gjermani që ka ruajtur pamjen e tij prej 250 vitesh.
U hoq nga lista sepse autoritetet vendosën të ndërtojnë një urë moderne me katër korsi mbi lumin.
Sipas Komitetit të Trashëgimisë Botërore, ndërtimi i urës nuk e ruante vlerën universale të jashtëzakonshme të luginës së lumit Elba.
Më parë, në vitin 2007, UNESCO kishte fshirë nga lista Rezervatin e oriksit arab (një lloj i rrallë antilope) në Oman, pasi autoritetet vendase e zvogëluan zonën e mbrojtur me 90 për qind, duke shkatërruar vlerën universale të jashtëzakonshme të asaj zone. /REL/