Krasniqi: Kryeneçësia e Kurtit po e çon Kosovën drejt humnerës – vendi pa institucione, pa miq e pa busull – fjalimi i plotë - Gazeta Express
string(118) "krasniqi-kryenecesia-e-kurtit-po-e-con-kosoven-drejt-humneres-vendi-pa-institucione-pa-miq-e-pa-busull-fjalimi-i-plote"

Lajme

Gazeta Express

26/07/2025 23:58

Krasniqi: Kryeneçësia e Kurtit po e çon Kosovën drejt humnerës – vendi pa institucione, pa miq e pa busull – fjalimi i plotë

Lajme

Gazeta Express

26/07/2025 23:58

Kryetari i Partisë Demokratike i Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeneçësia e Kurtit dhe partisë së tij ishin më e madhe se Kosova dhe demokracia.

Krasniqi në foltore pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit tha se vendi ynë tashmë ka vënë rekorde të zeza për konstituimin e Kuvendit.

“Përkundër këshillës së qartë të Gjykatës për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe se përgjegjësia”, tha mes tjerash Krasniqi.

Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të Memli Krasniqit:


Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë të Republikës sonë,

Sot është seanca e 53-të konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Sot janë bërë 166 ditë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, dhe Kosova ende nuk ka institucione.

Tashmë kemi vënë disa rekorde të zeza për konstituimin e Kuvendit.

Ndërkaq që, sot kalon edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e këtij institucioni, dhe përsëri, asgjë nuk lëvizi.

Asnjë tentim për zgjidhje. Asnjë reflektim për pasojat. Asnjë empati për qytetarët.

Përkundër këshillës së qartë të Gjykatës për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe se përgjegjësia.


Më e madhe se shteti. Më e madhe se demokracia.
Dhe, për fat të keq, sot Kosova po ecën në një tokë të panjohur.

Në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror.
Në një zonë gri, ku shteti nuk ka më busull dhe qytetarët nuk kanë më adresë.

Po shkelim një tokë ku Kushtetuta nuk lexohet si kontratë e përbashkët, por si dokument që shtrembërohet sipas interesit të ditës.


Po shkelim një tokë ku shumica s’është më vullnet, por diktat.
Ku dialogu s’është më mjet për zgjidhje, por shenjë dobësie.

Dhe në këtë rrugë të errët, gjithë vendi po shkon drejt humnerës.

Të dashur qytetarë,

Në këtë tokë të panjohur ku po shkel Kosova, nuk jemi vetëm të humbur në koordinatat e brendshme.


Jemi gjithnjë e më të humbur edhe në hartën ndërkombëtare.

Në vetëm pak vite, kemi kaluar nga një vend që ishte shpresë e rajonit, në një shtet që shihet me shqetësim e mosbesim.


Nga partner i respektuar, në aktor të paparashikueshëm.


Nga vend aspirant për integrim evropian, në një republikë që rrezikon të mbetet e izoluar për një dekadë tjetër.

Sot, Kosova ka më pak miq në botë sesa dje.
Sot, Kosova nuk ka më zë, sepse një Qeveri e papërgjegjshme ia ka mbyllur gojën, jo vetëm institucioneve, por edhe aleancave që u ndërtuan me mund për 25 vjet.

Dhe ky nuk është më thjesht izolim diplomatik.

Ky është rrezik real për shpërbërjen e funksionalitetit të shtetit tonë.

Një shtet pa institucione, pa miq, pa integrim, pa përfaqësim, nuk është më një shtet funksional.

Nuk jemi të izoluar vetëm nga Brukseli.

Jemi gjithnjë e më të largët nga Ëashingtoni.

Nuk komunikojmë fare me Tiranën.

Jemi të braktisur në rajon. Dhe të përçarë në vendin tonë.

Dhe ky është çmimi më i lartë që po e paguan Kosova për një qeverisje që zgjodhi arrogancën para dialogut, luftën me miqtë para ndërtimit të besimit, dhe pushtetin para shtetit.

Nëse nuk e ndalim këtë rënie, as nuk dua ta mendoj se ku do të përfundojmë. Mirëpo ju siguroj të gjithë se nuk do të jetë aspak e këndshme!

Të dashur qytetarë,

Kur them “Kosova është në një tokë të panjohur”, nuk flas vetëm për krizën politike.


Fjala është për një krizë ku për herë të parë në 25 vjet shtetndërtim, qytetarët po e ndjejnë shtetin si diçka që po i braktis. Si diçka që po i mban peng.

Po flas për këtë moment kur:

Nuk kemi Qeveri legjitime;

Nuk kemi Kuvend funksional;

Nuk kemi asnjë vendimmarrje që u përgjigjet nevojave tuaja reale.

Në vend të këtyre, kemi:

Skandale të njëpasnjëshme: nga tenderët, te emërimet klienteliste, e deri te shpërdorimet e buxhetit publik;

Rritje të çmimeve që po godet çdo familje, çdo të ri, çdo pensionist;

Izolim ndërkombëtar që po na kushton me miliona euro dhe me dekada integrimi.


Kosova është i vetmi vend që rrezikon t’i humbasë mbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, jo për mungesë kapacitetesh, por për mungesë institucionesh.

Të nderuar kolegë,

Le të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me qytetarët.

Unë sot dua të bëj një reflektim të ndjerë dhe të përgjegjshëm.

PDK është parti shtetformuese. Parti që ka marrë përgjegjësinë për ta ndërtuar këtë shtet, për ta mbrojtur atë dhe për ta çuar përpara.

Ne nuk kemi qenë pjesë e këtij bllokimi, as e këtyre devijimeve.


Por ne jetojmë bashkë me pasojat e tyre.

Dhe për këtë, si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ndjej përgjegjësi ta them publikisht:

Na vjen keq.
Na vjen keq që qytetarët janë lodhur.
Na vjen keq që edhe ne, ndonëse të vendosur, kemi qenë të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë rrjedhë deri më sot.

Na vjen keq për stresin, pasigurinë dhe pamundësinë e përfaqësimit të plotë ndaj jush, si pasojë e kësaj bllokade, për cka edhe na keni dhënë besimin me 9 shkurt.

Por, në mënyrën tonë, ne nuk kemi heshtur. Ne kemi shfrytëzuar çdo rrugë ligjore për t’i dhënë drejtim dhe zgjidhje kësaj krize.

E di dhe besoj se as ju nuk dëshironi që ne të ndërmarrim masa më drastike, të paligjshme apo jokushtetuese.

Sepse ju e dini: për ndërtimin e këtyre institucioneve nuk është derdhur vetëm djersë, është derdhur edhe gjak.

Janë mbajtur me mijëra vite burg nga intelektualë e patriotë të shquar.

Kanë sakrifikuar dhjetëra gjenerata të paraardhësve tanë.

Pikërisht sot, kemi përvjetorin e vdekjes të dy heronjve tanë: Adem Demaci e Enver Zymberi.

Dhe, edhe për hirë të tyre, ne nuk mund të biem asnjëherë në nivelin që qeveria në ikje dikur kishte rënë.

Por një gjë, tashmë është e sigurtë që nuk do ta bëjmë kurrë:


Nuk do të pranojmë diktatin.
Nuk do të bëhemi pjesë e shkeljes së Kushtetutës.
Nuk do të nënshtrohemi për interesa personale apo grupore.

Nuk do ta braktistim Kosovën dhe as rendin e saj kushtetues.

Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë rendin kushtetues, demokracinë, shtetin dhe qytetarin, edhe kur jemi në pakicë. Edhe kur jemi shumicë. Edhe kur jemi në opozitë. Edhe kur jemi në pushtet.

Të respektuar kolegë,

Të nderuar qytetarë,

Megjithatë, besimi është një virtyt që nuk guxojmë ta humbasim në këtë moment. Përkundërazi. Unë kam besim.


Kam besim se shoqëria jonë është më e fortë se kjo kastë.
Kam besim se drejtësia do të ringrihet.
Kam besim se qytetarët do të zgjedhin sërish dritën.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një vizion të ri për Kosovën.


Jo për ta ndërruar vetëm pushtetin, por për ta ndryshuar mënyrën se si qeveriset.


Për ta kthyer politikën në shërbim të njerëzve.
Për ta kthyer shpresën në vendin ku ajo lindi.

E ndërkohë që këtë do ta bëjmë, dhe do ta bëjmë:

Kjo kastë politike, që sot po e mban peng vendin, pasi aubzoi mbi katër vjet me të, do të shkojë në histori si kasta e turpit.


Kasta që bllokoi institucionet.
Kasta që përdori pushtetin për vete, e jo për ju.

Kasta që e degradoi vendin dhe varfëroi qytetarët.
Kasta që e la Kosovën në një tokë të panjohur, në terrin e pasigurisë dhe të vetmisë.

Prandaj, të nderuar kolegë,

Le të mos harrojmë se kush jemi dhe për çfarë jemi këtu.

Jemi këtu jo për t’u mbrojtur, por për të vepruar.


Jo për t’u pajtuar me padrejtësitë, por për t’i luftuar ato.


Jo për të heshtur përballë shkeljes së Kushtetutës, por për ta mbrojtur atë, me çdo çmim.

Shteti ynë sot është në udhëkryq.


Dhe vendimi për t’u kthyer në rrugën e drejtë është në dorën tonë.

Prandaj, ju ftoj që ta bëjmë atë që na takon:


T’ia kthejmë shpresën, orientimin dhe zhvillimin vendit tonë:

T’ia kthejmë të ardhmen dhe prosperitetin.


Për qytetarët tanë.
Për fëmijët tanë.
Për Kosovën tonë.

Sepse, siç e kam thënë shpesh:
Kosova mundet ma mirë. Dhe, padyshim, që ma mirë do ta bëjmë!

Faleminderit.