Ylli i Real Madridit, Rodrygo Goes, duket se do të qëndrojë te klubi edhe këtë verë, pas një zhvillimi të madh që lidhej me një transferim të mundshëm në Premier League.
Reprezentuesi brazilian ka biseduar me trajnerin Xabi Alonso për të ardhmen e tij në Madrid, pas një roli të reduktuar që pati në Kupën e Botës për Klube.
Los Blancos u eliminuan në gjysmëfinale të këtij kompeticioni, pas një humbjeje të rëndë 4-0 nga PSG, fituesit e Ligës së Kampionëve, gjë që riktheu në qendër të vëmendjes të ardhmen e Rodrygos.
Alonso e ka quajtur më herët Rodrygon si një “lojtar të rëndësishëm” në planet e tij, por mungesa e minutave në SHBA tregoi të kundërtën, duke nxitur zëra të rinj për një kalim të mundshëm në Premier League.
Arsenali përflitej se po përgatiste një lëvizje të madhe për ta sjellë në “Emirates” si pjesë e një merkatoje të shpenzimeve të larta nga Mikel Arteta.
Megjithatë, interesi nuk u konkretizua në një ofertë zyrtare, ndërsa më pas Liverpooli, kampionët e Premier League, u lidhën me numrin 11 të Real Madridit.
Por me Realin që raportohet se kërkon një çmim minimal rreth 75 milionë euro, të dy klubet kanë zgjedhur të kërkojnë alternativa të tjera.