Rusia nis sulme “masive” gjatë natës ndaj Dnjeprit dhe Harkivit - Gazeta Express
string(61) "rusia-nis-sulme-masive-gjate-nates-ndaj-dnjeprit-dhe-harkivit"

Lajme

Gazeta Express

26/07/2025 13:18

Rusia nis sulme “masive” gjatë natës ndaj Dnjeprit dhe Harkivit

Lajme

Gazeta Express

26/07/2025 13:18

Forcat ruse nisën një sulm në shkallë të gjerë gjatë natës ndaj rajoneve Dnipropetrovsk dhe Harkiv të Ukrainës, duke shkaktuar disa të vdekur dhe të plagosur, si dhe dëme të mëdha.

Në rajonin e Dnipropetrovskut, sulmet goditën qytetin Dnjepër dhe zonat përreth me raketa, dronë dhe bomba të drejtuara.

Sipas Serhiy Lysak, kreut të administratës ushtarake rajonale, sulmi “masiv” vrau një burrë dhe plagosi një grua në qytetin e Dnjeprit. Goditje të drejtpërdrejta pati edhe në ndërtesa të banimit shumëkatëshe, ndërmarrje industriale dhe parkingje, duke shkaktuar zjarre të mëdha.

Në distriktin e Dnjeprit, zjarre shpërthyen në një qendër tregtare, në ndërmarrje të ndryshme dhe në zona me bar të thatë, duke rezultuar në një viktimë shtesë dhe katër të plagosur të tjerë.

Forcat ruse gjithashtu bombarduan komunitetin Pokrovske, duke shkaktuar zjarre të tjera.

Ushtria e Ukrainës bëri të ditur se mbrojtja ajrore rrëzoi shtatë raketa dhe 26 dronë gjatë sulmit.

Harkivi gjithashtu ra nën bombardime që zgjatën gati tre orë, me mbi 20 goditje, sipas kryetarit të Harkivit, Ihor Terekhov.

Shtatë zjarre të mëdha shpërthyen në distriktin Kiev të qytetit. Shërbimet emergjente raportuan për pesë persona të plagosur, përfshirë tre zjarrfikës që u lënduan nga një sulm i dytë ndërsa reagonin ndaj pasojave të të parit. Ekipet e zjarrfikësve arritën të shpëtonin gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, përpara se tre automjete të tyre të shkatërroheshin.

Përtej kufirit, guvernatori në detyrë i rajonit rus të Rostovit, Yury Slyusar, tha se dy persona humbën jetën pasi një sulm me dron shkaktoi zjarr në një automjet.

Ndërkohë, në orët e para të 26 korrikut, një sulm me dron goditi qytetin rus të Stavropolit. Banorët lokalë raportuan dëgjimin e disa shpërthimeve të fuqishme. Objektivi duket se ishte fabrika e mbrojtjes Signal, një impiant që prodhon sisteme të luftës elektronike për avionë dhe forcat tokësore.

Sulmet ndodhën një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi i tij kishte siguruar financim për tre sisteme mbrojtëse raketore Patriot dhe po negocion për edhe shtatë të tjera, pas një marrëveshjeje të re që u mundëson aleatëve evropianë të blejnë armë amerikane për Kievin.

Ky njoftim u bë dy javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Rusisë një afat prej 50 ditësh për të arritur një marrëveshje për luftën ose për të përballuar tarifa të larta, dhe shprehu qëllimin për ta furnizuar Ukrainën me armë mbrojtëse shtesë përmes partnerëve evropianë.

Sipas Zelenskyt, Gjermania dhe Norvegjia kanë premtuar secila nga një sistem Patriot, dhe bisedimet me Holandën janë duke vazhduar. Për më tepër, Kievi dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për një marrëveshje – e vlerësuar ndërmjet 10 dhe 30 miliardë dollarë – që i lejon Ukrainës të eksportojë dronë në Shtetet e Bashkuara.

Që kur mori detyrën gjashtë muaj më parë, Trump ka tentuar të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund konfliktit, por presidenti rus, Vladimir Putin, ka refuzuar thirrjet e SHBA-së për armëpushim.

Në përgjigje të këtij ngërçi, Trump ka autorizuar lirimin e armëve për Ukrainën, të cilat më parë ishin mbajtur pezull për të mos provokuar Rusinë./REL/