Organizatat e shoqërisë civile përmes një komunikate të përbashkët të publikuar nga “Lëvizja FOL”, kanë bërë thirrje për partitë politike që të shfrytëzojnë sot afatin e fundit për të konstituar Kuvendin e Kosovës.
Për të zhbllokuar situatën, OSHC-të thonë se kthimi në votimin e hapur sipas praktikave të deritanishme është hapi kyç dhe i domosdoshëm për të mundësuar zhbllokimin e institucioneve.
“Kthimi në votimin e hapur për Kryetarin e Kuvendit, sipas praktikës së deritanishme, është hap kyç dhe i domosdoshëm për të mundësuar zhbllokimin institucional”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë
𝐓𝐞̈ 𝐬𝐡𝐟𝐫𝐲𝐭𝐞̈𝐳𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐦𝐮𝐧𝐝𝐞̈𝐬𝐢𝐚 𝐞 𝐟𝐮𝐧𝐝𝐢𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭’𝐚 𝐳𝐡𝐛𝐥𝐥𝐨𝐤𝐮𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐧
Në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ne – organizatat e shoqërisë civile – u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që ta përdorin me përgjegjësi këtë mundësi të fundit për të përmbushur detyrimin e tyre kushtetues dhe për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.
Dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik. Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit.
Kthimi në votimin e hapur për Kryetarin e Kuvendit, sipas praktikës së deritanishme, është hap kyç dhe i domosdoshëm për të mundësuar zhbllokimin institucional.
Një dështim tjetër do të thellonte krizën aktuale dhe do të prodhonte pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike për vendin. Prandaj, u bëjmë thirrje liderëve politikë dhe çdo deputeti që të veprojnë me maturi, përgjegjësi dhe në frymën e interesit publik.