Real Madrid aktualisht nuk mund të bëjë asnjë transferim, por kjo situatë mund të ndryshojë nëse largojnë të paktën një lojtar nga skuadra e parë. Dhe për të “vrarë dy zogj me një gur”, klubi mund të përfshijë yje aktualë në një marrëveshje të bujshme për mesfushorin e ëndrrave, Rodri Hernández.
Problemet në mesfushë u shfaqën qartë gjatë sezonit të kaluar dhe dolën në pah sërish kur Paris Saint-Germain mposhti 4-0 Real Madridin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, kundër skuadrës së Xabi Alonso-s. Si pasojë, në klub ekziston një dëshirë e fortë për të gjetur një zëvendësues të vërtetë për Toni Kroos, mungesa e të cilit është ndjerë thellësisht pas pensionimit në vitin 2024.
Nga të gjithë lojtarët që po shqyrtohen, objektivi kryesor është Rodri. 29-vjeçari u vëzhgua nga afër nga Real Madridi gjatë Kupës së Botës për Klube këtë verë, turne që shënoi rikthimin e tij pas dëmtimit të rëndë të ligamentit (ACL) që pësoi në shtatorin e kaluar.
Sipas CaughtOffside, Real Madridi është i gatshëm të lëvizë për Rodrin këtë verë, me një ofertë që përfshin dy lojtarë plus para në dorë. Klubi madrilen është i gatshëm të ofrojë Eduardo Camavinga dhe Rodrygo Goes, si dhe të paguajë 40 milionë euro për të bindur Manchester Cityn.
“Los Blancos” besojnë se një marrëveshje është e realizueshme, pasi Rodri ka më pak se dy vite të mbetura në kontratën aktuale me Cityn. Megjithatë, kampionët e Premier League kanë bërë të qartë se nuk do të shqyrtojnë asnjë ofertë këtë verë.
Nëse një marrëveshje nuk realizohet këtë verë (2025), Real Madrid do të synojë një tjetër përpjekje në verën e ardhshme. Në rast se Rodri nuk rinovon me Manchester Cityn gjatë 12 muajve të ardhshëm, ai pritet të jetë i disponueshëm për 60-80 milionë euro në vitin 2026, kur do të ketë më pak se një vit kontratë të mbetur.