Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për caktimin e masës së përkohshme për një periudhë dyjavore mund të ketë ardhur shumë vonë.
Ai tha se këtë e kërkuan edhe në lëndën e parë që AAK e dorëzoi në Gjykatë Kushtetuese dhe tha se kushtet ishin thuajse të njëjta edhe atëherë për të ndërmarrë këtë vendim.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit. Pikërisht këtë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës”, ka thënë Haradinaj sot para seancës së fundit që do të nisë nga ora 14:00.
“Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK”.
Haradinaj tha se “kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend”.
“Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur u paraqit kërkesa jonë”, tha Haradinaj,
Ndërkohë, dje kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është ankuar se këtë masë s’e kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi për këtë në përgjigje të lëndës së dorëzuar nga ana e PDK-së dhe LDK-së.
Ne s’e kemi kërkuar atë masë, por është në të drejtën e tyre dhe unë po besoj që ka një arsye që s’mund ta paragjykoj unë. Cila mund të jetë arsyeja është ndoshta diçka që mund ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi final, por ne e kemi thënë gjithmonë se vendimet e Kushtetuese s’janë tavolinë suedeze. Jemi të obliguar që t’i zbatojmë dhe ajo që tashmë po dihet është se kanë mbetur më pak se 48 orë për ta konstituuar Kuvendin bazuar në aktgjykimin e kaluar”, kishte thënë dje Krasniqi./Express/