Alexander Isak mund të ketë një klauzolë të veçantë të përfshirë në kontratën e tij nëse kalon te Liverpooli – dhe kjo falë një ish-lojtari të “The Reds”.
Që nga përfundimi i sezonit 2024/25, e ardhmja e sulmuesit të Newcastle United ka qenë një nga temat më të diskutuara. Suedezi, i cili shënoi 27 gola në 42 ndeshje sezonin e kaluar, është lidhur me klube si Liverpool, Arsenal, Chelsea, Manchester United dhe Al Hilal.
Pavarësisht spekulimeve, Newcastle ka mbajtur një qëndrim të qartë: Isak nuk është në shitje dhe do të duhet një ofertë gjigante që ata të fillojnë bisedimet për ndonjë transferim.
Këtë javë u raportua se Liverpool mbetet i interesuar për Isak, edhe pse ka nënshkruar me Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt. Të enjten, Newcastle konfirmoi se Isak nuk udhëtoi me skuadrën për turneun parasezonal në Azi për shkak të një dëmtimi. Por vetëm disa orë më vonë, u raportua se Isak kishte njoftuar klubin për dëshirën e tij për të “eksploruar një largim”.
Që atëherë, eksperti i merkatos Fabrizio Romano deklaroi se dëshira e Isak është kalimi te Liverpool. Ai shkroi në rrjete sociale:
“Edhe një herë: Alexander Isak dëshiron Liverpoolin, është prioriteti i tij. Nuk ka bisedime me Al Hilal, Chelsean apo Manchester United.”
Nëse Isak kalon te Liverpool, mund të përfshihet në kontratën e tij një klauzolë e veçantë që lidhet me sjelljen në rrjete sociale – si pasojë e një episodi të mëparshëm me Ryan Babel në vitin 2011.
Gjithçka nisi pas një humbjeje të Liverpool në FA Cup ndaj Manchester United në Old Trafford. United fitoi 1-0 me një penallti të hershme nga Ryan Giggs, ndërsa Steven Gerrard u ndëshkua me të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Michael Carrick. Gjithçka u arbitrua nga Howard Webb, të cilin Babel e kritikoi në rrjetet sociale duke postuar një foto të modifikuar të Webb me fanellën e United dhe mbishkrimin:
“Dhe thonë që është një nga arbitrat më të mirë? Është për të qeshur. SMH [shake my head].”
Si pasojë, Babel u gjobit me 10,000 £ nga Federata Angleze. Ai rrëfeu më vonë në një podcast se pas atij rasti, klubet nisën të përfshijnë klauzola në kontratat e lojtarëve për përdorimin e rrjeteve sociale, për të mbrojtur imazhin e klubit dhe për të shmangur raste të ngjashme.
“Për shkak të meje, ata ndryshuan rregullat. Tani klubet përfshijnë në kontrata klauzola që nëse dëmton imazhin e klubit në rrjete sociale, gjobitesh,” tha Babel.
Prandaj, nëse Isak bashkohet me Liverpoolin, ai mund të përfundojë duke pasur në kontratë një nga këto klauzola të frymëzuara nga një episod që ndodhi më shumë se një dekadë më parë./GazetaExpress/