Haziri: Partia e parë po e kultivon parimin “sa më keq, aq më mirë kundër Republikës” - Gazeta Express
string(81) "haziri-partia-e-pare-po-e-kultivon-parimin-sa-me-keq-aq-me-mire-kunder-republikes"

Lajme

Gazeta Express

25/07/2025 21:57

Haziri: Partia e parë po e kultivon parimin “sa më keq, aq më mirë kundër Republikës”

Lajme

Gazeta Express

25/07/2025 21:57

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual, duke e akuzuar se po kultivon qëllimisht kaosin për të përfituar politikisht në dëm të Republikës së Kosovës.

“Partia e parë po e kultivon parimin ‘sa më keq, aq më mirë kundër Republikës’”, tha Haziri, duke theksuar se LDK-ja mbetet gardiane e vlerave të shtetësisë dhe bashkimit në dallime – ashtu siç e kishte paraparë themeluesi i saj, Ibrahim Rugova.

Ai kujtoi rezistencën politike që përfaqësohej nga LDK-ja dhe atë ushtarake të UÇK-së, të cilat sipas tij ishin të bashkuara në një qëllim të përbashkët: lirinë e Kosovës. Por, sipas Hazirit, kjo frymë sot po sabotohet nga pushteti përmes gjuhës së urrejtjes, mungesës së transparencës dhe keqpërdorimeve të rënda.

“Mos-shfrytëzimi i suksesit të 9 shkurtit, si dhe skandalet financiare që po i shkaktohen vendit, nga rryma te subvencionet, janë dëshmi e qartë e kapjes së shtetit për interesa familjare e klanore,” deklaroi ai.

Haziri akuzoi udhëheqësit aktualë se po fshihen nga përgjegjësia dhe nuk e duan një shtet funksional që mbështetet në Kushtetutë.

“Ata mund ta udhëheqin partinë e tyre në këtë formë, por jo Republikën,” tha ai.

Ai përfundoi se rruga e vetme për të rikthyer besimin në Republikë është ajo kushtetuese dhe përmes marrëdhënieve në mirëbesim. “Parimet tona për ta ruajtur këtë Republikë janë të shenjta,” përmbylli Haziri.