Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se Franca do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në muajin shtator, i cili aktualisht njihet nga më shumë se 140 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së.
E përderisa ky vendim është mirëpritur nga zyrtarët palestinezë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti si një “shpërblim për terrorin”, dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi si një veprim “të pamatur”.
Macron ka theksuar se ai dhe liderë të tjerë kanë detyrimin të tregojnë se paqja është e mundur, duke shtuar se “prioriteti urgjent sot” është përfundimi i luftës dhe ofrimi i ndihmës për popullin në Gaza.
Megjithatë, po të enjten, negociatorët izraelitë dhe amerikanë u larguan nga bisedimet për armëpushim në Gaza që po mbaheshin në Katar, me Uashingtonin që akuzoi Hamasin se nuk po “vepron në mirëbesim”.
Ndërkohë, kujtojmë se kushtet humanitare në Gaza po përkeqësohen me shpejtësi, ku agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRËA) paralajmëroi se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës – në veri të territorit – vuan nga kequshqyerja, dhe se rastet po shtohen çdo ditë.
Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për këtë situatë, ndërsa agjencitë humanitare vijojnë t’i bëjnë thirrje Izraelit që të lejojë më shumë ndihma të hyjnë në territor, duke paralajmëruar për rrezikun e urisë masive.