Profesoresha boshnjake: Pamjet nga festa me motive nacionaliste ku ishte edhe Vuciq, ringjall simbolikën e gjenocidit dhe përdhunimit - Gazeta Express
string(131) "profesoresha-boshnjake-pamjet-nga-festa-me-motive-nacionaliste-ku-ishte-edhe-vuciq-ringjall-simboliken-e-gjenocidit-dhe-perdhunimit"

Lajme

Gazeta Express

25/07/2025 8:15

Profesoresha boshnjake: Pamjet nga festa me motive nacionaliste ku ishte edhe Vuciq, ringjall simbolikën e gjenocidit dhe përdhunimit

Lajme

Gazeta Express

25/07/2025 8:15

Profesoresha e njohur nga Bosnja dhe Hercegovina, prof. dr. Edina Becreviq, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes së organizuar më 22 korrik në qytetin e Pozhegës (jugperëndimi i Serbisë), ku u hap një segment i ri i autostradës në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ngjarja, e organizuar nga tabloidi proqeveritar “Informer”, u shoqërua me një repertor muzikor nacionalist dhe ofendues për myslimanët dhe boshnjakët.

Në transmetimin direkt të Televizionit Informer u këndua kënga “Oj vojvodo Sindjelicu”, në të cilën përmendet një varg i ndjeshëm dhe fyese: Turkja u betua para xhamisë se vetëm një serb ka dashur. Kjo këngë është cilësuar si pjesë e mitologjisë nacionaliste serbe, që është përdorur për të justifikuar gjenocidin dhe dhunimet masive ndaj grave boshnjake gjatë luftës në Bosnje (1992–1995).

Becireviq, eksperte e sigurisë dhe autore e librit Genocide on the Drina River, botuar nga Yale University Press, thekson se këto lloj përmbajtjesh dëshmojnë për vazhdimësinë ideologjike të dhunës dhe urrejtjes etnike në diskursin politik serb. Ajo thekson se këngë të tilla nuk janë të padëmshme, por lidhen drejtpërdrejt me motivimin e dhunimeve sistematike ndaj grave boshnjake gjatë luftës, si pjesë e strategjisë së spastrimit etnik.

“Reagimi i presidentit Vuçiq, i cili jo vetëm që nuk e dënoi këtë repertor, por edhe u argëtua dhe i shpërbleu muzikantët gjatë interpretimit të një kënge që glorifikon figurën e Drazha Mihailovic, një kriminel lufte i dënuar nga Lufta e Dytë Botërore, është veçanërisht shqetësues,” deklaron profesoresha.

Ajo përkujton fjalët e studiueses Catherine MacKinnon, e cila në vitin 1994 e përshkroi përdhunimin gjatë luftës si “përdhunim për të vrarë, për të shkatërruar një popull, për të dëbuar, për të thyer shpirtin e një komuniteti”.

“Është përdhunim deri në vdekje, si pjesë e një masakre; përdhunim për të vrarë dhe për ta bërë viktimën të dëshirojë të kishte vdekur. Është përdhunim si instrument dëbimi me dhunë, me qëllim që viktimat të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të mos duan të kthehen më kurrë. Është përdhunim si spektakël, për t’u parë, për t’u dëgjuar. Përdhunim që shkatërron një komunitet, ndan një shoqëri, shkatërron një popull. Është përdhunim gjenocidal.”

“Jo vetëm që i bën jehonë fantazive dhe simbolikës për të cilën kanë shkruar MacKinnon dhe autorë të tjerë, por gjithashtu kujton strategjitë e luftës që janë dokumentuar si në vendimet e Hagës ashtu edhe në vendimet e gjykatave vendase. Në kontekstin e gjenocidit dhe mijëra grave boshnjake të përdhunuara, kjo këngë jo vetëm që tingëllon shqetësuese. Ajo dëshmon për vazhdimësinë ideologjike, për faktin se imagjinata e dhunshme nacionaliste nuk është diçka e së kaluarës, por ende jeton në praktikën politike dhe kulturore të shtetit të Serbisë. Bazuar në regjistrim, shohim se ajo padyshim jeton në kokën e Presidentit të Serbisë sot”, përfundoi Prof. Becireviq.

Sipas saj, kjo është arsyeja pse regjistrimi i presidentit serb në një ekstazë nacionaliste duke kënduar duket tmerrues.

“Në këtë kontekst, fakti që presidenti i Serbisë feston publikisht me këngë të tilla nuk është vetëm një incident, por dëshmi e gjallë se ideologjia e urrejtjes ende është e gjallë në politikën dhe kulturën shtetërore serbe”.

Në fund, ajo konkludon: “Këngë të tilla, të interpretuara nga vetë elita politike e një shteti, nuk janë thjesht nostalgji folklorike, por dëshmi se e kaluara e errët jo vetëm që nuk është përballuar, por po rishfaqet me krenari në skenën publike.”