Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i bën thirrje të drejtpërdrejtë Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshëm për ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në, në përputhje me buxhetin e miratuar me ligj nga Kuvendi i Kosovës.
“Ekzistojnë zgjidhje të plota ligjore për të siguruar funksionimin e transmetuesit publik dhe për të parandaluar kolapsin institucional të RTK-së, e cila tashmë ndodhet në një gjendje alarmante financiare. Çdo vonesë shtesë rrezikon jo vetëm misionin kushtetues të RTK-së, por edhe mundësinë që qindra punëtorë të mbesin pa paga, duke i ekspozuar ata dhe familjet e tyre ndaj pasigurive serioze sociale”.. thuhet në komunikatë.
Sipas SPERTK-ut, RTK nuk ka qenë dhe nuk është barrë për shtetin – ajo është një aset shtetëror i pazëvendësueshëm që kontribuon në informimin e drejtë të qytetarëve, përfaqësimin e të gjitha komuniteteve dhe forcimin e demokracisë në vend. Mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj RTK-së përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe rrezikon funksionimin e vet të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë.
“SPERTK u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të trajtojnë kërkesat tona legjitime dhe të mbështetura në bazë ligjore. Kërkojmë që RTK të trajtohet me ligjshmëri, përgjegjësi dhe meritokraci – ashtu siç i takon një institucioni që i shërben interesit publik dhe qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës. Nëse deri më 5 gusht nuk bëhet alokimi i mjeteve financiare për RTK-në, Sindikata do të nisë protestat e paralajmëruara. Njëkohësisht, SPERTK do të kërkojë që të pezullohet mbulimi i çdo aktiviteti politik nga RTK dhe do të ndërmarrë hapa ligjorë përmes padive në gjykatë ndaj të gjithë përgjegjësve për situatën e krijuar. SPERTK mbetet e vendosur në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe misionit të transmetuesit publik”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK).