Kuvendi Komunal i Rahovecit, në mbledhjen e mbajtur të enjten, miratoi një deklaratë dënuese ndaj gjuhës së përdorur nga ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, të bërë gjatë javës së kaluar në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deklarata u miratua unanimisht nga të gjitha partitë që janë pjesë e Kuvendit.
Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, prezantoi deklaratën para asambleistëve, duke theksuar rëndësinë e saj për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
“PROPOZIM – DEKLARATË PËR MIRATIM NGA KUVENDI KOMUNAL I RAHOVECIT
Kundër deklaratave fyese të Igor Simić-it ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Në emër të qytetarëve të komunës së Rahovecit, ne, përfaqësuesit e Kuvendit Komunal, shprehim shqetësimin dhe reagimin tonë të vendosur ndaj deklaratave fyese, të papranueshme dhe tendencioze të z. Igor Simić, të bëra gjatë vizitës së tij në fshatin Hoçë e Madhe të Komunës së Rahovecit.
Këto deklarata përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj historisë sonë të përbashkët dhe përpjekjeve të një populli të tërë për liri dhe dinjitet. Ato përpiqen të njollosin luftën e drejtë dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – luftë që është themel i shtetësisë sonë dhe krenari e përjetshme e kombit tonë.
Në një shtet demokratik e sovran, që ka punuar fort për paqen e përgjithshme të qytetarëve të tij pa dallime etnie, ngjyre e feje, një person me gjuhë të urrejtjes e të përçarjes, është i padëshirueshëm dhe për komunën tonë është person “non grata”. Inkurajojmë bashkëqytetarët tanë të Hoçës së Madhe dhe përfaqësuesit e këtij fshati, të distancohen nga kjo gjuhë e papranueshme.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe mbetet zemra e qëndresës sonë kombëtare. Ajo ishte zëri i atyre që për dekada ishin shtypur, shpresa e atyre që besonin në një të ardhme më të drejtë dhe guximi i atyre që nuk pranuan të nënshtrohen përballë padrejtësisë. Lufta e saj për liri u mbështet nga populli dhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë sepse ishte e drejtë, e pastër dhe legjitime.
Lufta e pastër e UÇK-së është themel i shtetësisë sonë dhe nuk mund të vihet në dyshim. Çdo përpjekje për të zbehur kontributin e saj është fyerje për mijëra familje që kanë dhënë më të dashurit e tyre për lirinë tonë, por edhe për çdo qytetar të ndershëm të Kosovës që beson në paqe, drejtësi dhe dinjitet.
Kuvendi Komunal i Rahovecit u bën thirrje organeve përgjegjëse që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore duke u bazuar në kushtetutën dhe të akteve ligjore të Republikës së Kosovës, të dënojnë publikisht këto deklarata të papërgjegjshme dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të mbrojtur të vërtetën historike dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.
Ne, qëndrojmë të bashkuar me respekt për të kaluarën tonë, krenarë për rrugëtimin tonë dhe të vendosur për të ndërtuar një të ardhme me paqe, mirëkuptim dhe dinjitet për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Liria jonë ka emër. Ka histori. Ka gjak. Ka dhembje. Ajo nuk mund të preket, as të fyhet. Ashtu, si nuk mund të preket as Ushtria Çlirimtare e Kosovës – nderi dhe krenaria e kombit tonë!”, tha Latifi.
Ndërkaq, Igor Popoviç u arrestua më 18 korrik nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak, pasi gjatë ditës kishte mbajtur një fjalim në Hoçë të Madhe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalimit, Popoviç e cilësoi UÇK-në si organizatë terroriste dhe e krahasoi veprimtarinë e saj me zhvillimet në Gazë, në një ceremoni përkujtimore për viktimat serbe në komunën e Rahovecit. Ai gjithashtu akuzoi institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.