Pas publikimit të pamjeve në të cilat Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, feston hapjen e një segmenti të ri të autostradës në Serbi nën tingujt e këngëve çetnike, ka reaguar Organizata e Grave të SDA Sanxhakut, dega Novi Pazar.
Në një deklaratë publike, kjo organizatë ka dënuar ashpër interpretimin e këngëve me përmbajtje fyese dhe diskriminuese.
“Organizata e Grave të SDA Sanxhakut – dega Novi Pazar dënon ashpër interpretimin e këngëve me përmbajtje fyese dhe poshtëruese ndaj grave, gjatë një ngjarjeje të organizuar nga regjimi aktual në pushtet. Veçanërisht dënojmë ofendimet e drejtuara ndaj të ashtuquajturave ‘Turkesha’, që përmbajnë aluzione të qarta ndaj grave të fesë islame dhe ndaj pjesëtareve të popullit boshnjak”, thuhet në deklaratë.
Organizata ka theksuar se prania e zyrtarëve të lartë shtetërorë në ngjarje të tilla e bën edhe më shqetësues mosreagimin institucional.
“Në një kohë kur shoqëria po përpiqet të avancojë barazinë gjinore dhe dinjitetin e grave, është thellësisht zhgënjyese që veprime të tilla kalojnë pa ndëshkim. Edhe më shqetësuese është që këto përmbajtje luhen në prani të figurave më të larta shtetërore. Kjo tregon se regjimi aktual në Serbi, edhe pas më shumë se tre dekadash, nuk ka hequr dorë nga retorika e frikësimit dhe kërcënimit ndaj popullit boshnjak”, thuhet më tej.
Në përfundim, Organizata e Grave të SDA Sanxhakut nënvizon se heshtja përballë këtyre ngjarjeve nuk është neutralitet, por bashkëfajësi në normalizimin e urrejtjes.
“Heshtja nuk është neutralitet – ajo normalizon mizogjininë, urrejtjen dhe dhunën ndaj boshnjakëve, një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit në Srebrenicë. U bëjmë thirrje të gjithë faktorëve relevantë në shoqëri që t’i kundërvihen hapur këtyre sjelljeve diskriminuese. Kërkojmë përgjegjësi të plotë penale për nxitësit e urrejtjes dhe kërkojmë që legjislacioni penal të parashikojë dënime të rrepta për çdo formë të lavdërimit të kriminelëve të luftës”, përmbyllet reagimi.
Para du ditësh, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë dje në një festë të organizuar nga tabloidi proqeveritar Informer, me rastin e hapjes së aksit të autostradës Milosh Veliki, në segmentin Pakovraqe–Pozhegë.
Bëhet fjalë për një pjesë të rrugës me gjatësi 30,96 kilometra, ndërtimi i së cilës u financua nga Qeveria e Serbisë përmes Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës. Investitor ishte Ndërmarrja Publike “Rrugët e Serbisë”, ndërsa kompania kryesore ndërtuese ishte gjiganti kinez China Communications Construction Company. Vlera e kontratës kap shifrën e 450 milionë eurove.
Pjesë e festës ishin edhe kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, ministri i Brendshëm Ivica Daçiq, ministrja e Punës Milica Djurdeviq Stamenkovski, ministri i Mbrojtjes Bratislav Gashiq, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Demo Berisha, si dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Milshš Vuceviq, ndër të tjerë.
Në festim pati ushqim, pije dhe muzikë “live”, ku të ftuarit u argëtuan nga një grup trumbetarësh. Gjatë mbrëmjes u këndua edhe kënga çetnike “Një barkë e vogël lundron në det”, e cila lavdëron figurat e mbretit Petar dhe gjeneralit çetnik Drazha Mihajloviq.
Derisa po interpretohej kjo këngë, Vuciq u pa tek nxjerr disa para dhe ia dhuron muzikantëve, në shenjë falënderimi.