Sipas La Gazzetta dello Sport, agjenti i Dusan Vlahovic, Darko Ristic, pritet të mbërrijë në Torino brenda orëve në vijim për të diskutuar të ardhmen e klientit të tij, në mes të zërave që e lidhin sulmuesin me një transferim të mundshëm te Milani.
Ristic pritet të mbërrijë në Torino në 24-28 orët e ardhshme, sipas raportit më të fundit nga Gazzetta dello Sport.
Vlahovic nuk bën pjesë në planet afatgjata të Juventusit, megjithëse i ka mbetur edhe një vit kontratë me klubin. “Bianconerët” synojnë të përfitojnë nga shitja e tij këtë verë.
Një nga problemet kryesore është paga e sulmuesit: Vlahovic pritet të përfitojë 12 milionë euro për vitin e fundit të kontratës – një shumë që asnjë klub europian nuk është i gatshëm ta mbulojë plotësisht.
Milani, një opsion konkret për Vlahovic
Sipas burimeve të Football Italia, përfaqësues të Milanit kanë nisur bisedimet me Juventusin, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri, i cili pritet të rikthehet në stolin e “Rossonerëve”, dëshiron të ribashkohet me sulmuesin serb në “San Siro”.
Gazzetta dello Sport shton se Milani mund të përfshijë Malick Thiaw në një marrëveshje të mundshme shkëmbimi + para, por gjithsesi, Juventusi do të duhej të paguante një pjesë të pagës së Vlahovic gjatë sezonit të tij të parë në Milano.
Sipas gazetës italiane, kalimi te Milani është një opsion konkret për Vlahovicin, edhe pse Atletico Madrid dhe Barcelona mbeten të interesuara për 25-vjeçarin. /GazetaExpress/