Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur afatin 38-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Lajmi është bërë i ditur për KosovaPress nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se për qëllime të regjistrimit është aktivizuar platforma elektronike https://diaspora.kqz-ks.org.
“Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Për regjistrim, KQZ ka caktuar afat 38-ditor, pra deri më 29 gusht 2025. Gjatë këtij afati, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet në njërën nga dy mënyrat: përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, njoftoi Elezi.
Platforma elektronike e KQZ-së pritet të lëshohet në përdorim gjatë ditës.
Sipas tij, në platformën elektronike të KQZ-së çdo aplikuesi do t’i jepet mundësia që të përzgjedhë për t’u regjistruar për votim vetëm, njërën nga dy mënyrat për votim përmes postës: të dërgojë pakon me fletëvotime në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë apo të dërgojë pakon me fletëvotime, në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.
Platforma e KQZ-së nuk ka paraparë mundësinë e votimit në përfaqësi diplomatike, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se ky lloj votimi nuk aplikohet në Zgjedhjet Lokale.
Më tej, sipas Elezit, ky proces regjistrimi do të vlejë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm shtetasit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit. Pra, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, sepse do të vlejë lista e njëjtë e votuesve”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, vetëm shtetasit që regjistrohen si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë nga jashtë Kosovës, përmes postës, nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.