Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur afatin 38-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Kjo platformë elektronike e KQZ-së pritet të lëshohet në përdorim gjatë ditës.
Valmir Elezi zëdhënës KQZ-së ka thënë se në platformën elektronike të KQZ-së çdo aplikuesi do t’i jepet mundësia që të përzgjedhë për t’u regjistruar për votim vetëm, njërën nga dy mënyrat për votim përmes postës: të dërgojë pakon me fletëvotime në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë apo të dërgojë pakon me fletëvotime, në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.
Platforma nuk ka paraparë mundësinë e votimit në përfaqësi diplomatike, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se ky lloj votimi nuk aplikohet në Zgjedhjet Lokale.
Sipas Elezit, ky proces regjistrimi do të vlejë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm shtetasit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit. Pra, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, sepse do të vlejë lista e njëjtë e votuesve”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, vetëm shtetasit që regjistrohen si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë nga jashtë Kosovës, përmes postës, nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.