Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka kërkuar largimin e gjithë kupolës drejtuese të Bashkisë së Tiranës, përfshirë edhe Anuela Ristanin, të cilën e komandoi vetë në krye të këtij institucioni pas arrestimit të Erion Veliajt.
Gjatë një takimi me dyer të mbyllura me deputetët e rinj të qarkut të Tiranës dhe me drejtues të bashkisë së kryeqytetit, mësohet se Rama i ka kritikuar për punën dhe për performancën e dobët, transmeton klankosova.tv.
Ai ka kërkuar largimin e tyre dhe zëvendësimin me burime të tjera njerëzore që do të marrin përsipër drejtimin e sektorëve të ndryshëm deri në zgjedhje, por pa dhënë një afat të qartë për zhvillimin e tyre.
Vendimi i Ramës për të larguar të gjithë nënkryetarët është një vendim politik, pasi ligjërisht ka vetëm dy rrugë për t’i larguar nga detyra. E para, dhe më e thjeshta, është dorëheqja vullnetare–një skenar që është ndodhur tashmë në bashkitë e tjera ku “uragani” Rama ka vepruar më parë. Në të kundërt, shkarkimi mund të bëhet vetëm nga kryetari i bashkisë, pra nga Erion Veliaj, përmes një vendimi të firmosur prej tij nga paraburgimi në Durrës, shkruan a2 cnn.
Një letër me firmë duhet të vijë në çdo rast, pasi edhe nëse nënkryetarët dorëzojnë formalisht dorëheqjet, edhe emërimet e reja duhet të bëhen zyrtarisht nga Erion Veliaj.
Takimi me dyer të mbyllura ka zgjatur më shumë se një orë. Pas përfundimit, e para që ka dalë nga mbledhja ishte kryetarja e komanduar, Anuela Ristani. Ndërkohë, mësohet se të vetmit sektorë që Rama ka vlerësuar pozitivisht gjatë këtyre muajve në bashki ishin Policia Bashkiake dhe Inspektoriati për Mbrojtjen e Territorit.
Më herët, në një komunikim të hapur për publikun, Rama e ka vënë theksin te reforma e thellë territoriale, veçanërisht në Tiranë, ku tashmë ai është edhe deputet.
Për kontrollin e territorit në Bashkinë e Tiranës, Rama ka ngritur tre grupe pune, të cilat do të drejtohen nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ministri i Financave Petrit Malaj, si dhe drejtuesit e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe asaj të Planifikimit Urban.
Kryeministri deklaroi se në mandatin e katërt qeverisës do të zbatohet Rilindja Urbane II, dhe se do të miratohen ligje të reja për sektorin e ndërtimit, me qëllim t’i jepet fund abuzimeve me hapësirat publike dhe me lejet e ndërtimit.
Rama e bëri të qartë se nuk do të ketë legalizime për objektet e ndërtuara për qëllime biznesi pas vitit 2020.