Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka hedhur poshtë spekulimet e fundit që lidhin Hakan Çalhanoğlu-n me një transferim të mundshëm te Fenerbahçe apo Galatasaray, duke i cilësuar si “fantazi mediatike”.
Duke folur sot në një aktivitet sponsorizimi, Marotta u pyet për raportimet që sugjeronin se mesfushori turk po shtynte për një rikthim në Superligën turke.
“Nuk dua që kjo të kthehet në një çështje që nuk ekziston, nga respekti si për lojtarin ashtu edhe për Interin,” tha Marotta.
“Gjithçka është në media, flasim për kërkesa imagjinare që nuk kanë mbërritur kurrë. Nuk ka asnjë kërkesë, prandaj nuk ka asgjë për të shqyrtuar dhe as për t’u përgjigjur.”
Ai shtoi se Çalhanoğlu pritet të bashkohet me skuadrën në stërvitje më 23 korrik.
I pyetur nëse ka pasur biseda direkte me lojtarin për nisjen e sezonit të ri, Marotta u përgjigj:
“Sigurisht, gjithmonë. Si me çdo lojtar tjetër, ai kurrë nuk ka shprehur dëshirën për t’u larguar.”
Ndërkohë, mediat turke vazhdojnë të përforcojnë idenë se Çalhanoğlu do të pranonte me kënaqësi të kalonte te Galatasaray, klubi që ai e ka mbështetur që në fëmijëri, por vetëm nëse Interi do të pranonte transferimin dhe do të arrihej marrëveshje për çmimin.
Marotta dhe drejtori sportiv Piero Ausilio kishin paralajmëruar që javën e kaluar se oferta e Galatasaray-t ishte shumë larg vlerës së kërkuar nga Interi, ndaj bisedimet nuk kishin përparuar.
Së fundmi, edhe Fenerbahçe po tenton të bindë si klubin ashtu edhe lojtarin, por duket se gjithçka po zhvillohet më shumë në media sesa në tavolinat e negociatave./GazetaExpress/