Një total prej 26 vendesh, përfshirë Australinë, Britaninë e Madhe dhe Francën, kanë kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës në Gaza dhe heqjen e kufizimeve ndaj ndihmave nga Izraeli.
Këto vende kanë deklaruar se mbi 800 palestinezë janë vrarë ndërsa kërkonin ndihma dhe dënuan atë që e përshkruajnë si “ndihma pikë-pikë dhe vrasje çnjerëzore të civilëve”, duke lëshuar një deklaratë të përbashkët mes shqetësimeve në rritje ndërkombëtare për numrin e të vdekurve në pikat e shpërndarjes së ndihmave në enklavë.
“Ne, nënshkruesit e mëposhtëm, jemi bashkuar me një mesazh të thjeshtë dhe urgjent: lufta në Gaza duhet të përfundojë tani”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të jashtëm të Britanisë, Australisë, Francës, Italisë, Japonisë, Kanadasë, Danimarkës dhe vendeve të tjera.
Bëhet e ditur se deklarata përshkruan modelin e qeverisë izraelite për shpërndarjen e ndihmave si “të rrezikshëm, që ushqen pasigurinë dhe i mohon popullit të Gazës dinjitetin njerëzor”.
“Ne jemi të gatshëm të marrim hapa të mëtejshëm për të mbështetur një armëpushim të menjëhershëm dhe një rrugë politike drejt sigurisë dhe paqes për izraelitët, palestinezët dhe të gjithë rajonin,” shtohet më tej në deklaratë.
Deklarata gjithashtu përfshin dënimin për trajtimin që Hamasi u bën pengjeve të mbajtura që nga sulmi i 7 tetorit 2023.
“Ne dënojmë mbajtjen e tyre të vazhdueshme dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar.”
Sipas Reuters, deklarata është nënshkruar nga ministrat e jashtëm të Australisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Islandës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Letonisë, Lituanisë, Luksemburgut, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës, Suedisë, Zvicrës dhe Britanisë.
Bëhet e ditur poashtu se vendet thonë se “kundërshtojnë fuqimisht çdo hap drejt ndryshimeve territoriale ose demografike në territoret palestineze të pushtuara”, ndërsa u është bërë thirrje edhe vendeve të tjera të bashkësisë ndërkombëtare të “bashkohen në një përpjekje të përbashkët për t’i dhënë fund këtij konflikti të tmerrshëm, përmes një armëpushimi të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm”.
“Gjaku që po derdhet më tej nuk i shërben askujt,” është thënë në deklaratë.