Azemi: Inspektorati dhe punëdhënësit, fajtorë për vdekjet në vendin e punës - Gazeta Express
string(73) "azemi-inspektorati-dhe-punedhenesit-fajtore-per-vdekjet-ne-vendin-e-punes"

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 12:36

Azemi: Inspektorati dhe punëdhënësit, fajtorë për vdekjet në vendin e punës

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 12:36

Dy punëtorë kanë vdekur në vendin e punës sot në Gjakovë. Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës. “Numri i të vdekurve në vendin e punës gjatë këtij viti ka arritur në 17 persona”, thotë kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Sipas tij, fajtor për numrin e madh të vdekjeve të punëtorëve janë punëdhënësit dhe Inspektorati i Punës, që nuk po kujdesen për kushtet dhe sigurinë në punë.

Pasi kanë rënë nga lartësia e një objekti në ndërtim e sipër, dy punëtorë kanë vdekur në vendin e punës, në Gjakovë. Rastin e ka konfirmuar për Radio Kosovën zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ai ka thënë se “sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre”, ka thënë Elezaj. Ai ka thënë se njësitet relevante të Policisë janë duke ndërmarrë veprime hetimore më qëllim të sqarimit të rrethanave të rastit.

Javën e kaluar edhe një 25-vjeçar ka vdekur, pasi ka rënë nga lartësia e objektit të Hotelit Grand, në Prishtinë, teksa po pastronte dritare.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se është tejet shqetësues numri çdo ditë e në rritje i të vdekurve në vendin e punës.

“Fatkeqësisht, ky vit është një vit shumë i kobshëm për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, sepse me këto dy rastet e sotme në Gjakovë, numri i të vdekurve në vendin e punës ka arritur në 17. Në pjesën dërmuese të këtyre rasteve, është faktori njeri ai që ka ndikuar që të kemi këto raste të vdekjeve. Pra, jeta e punëtorëve fatkeqësisht po ka një çmim shumë të ulët”, tha ai.   

Krahas punëdhënësve, të cilët punëtorëve nuk po u ofrojnë kushte të duhura dhe siguri në punë, për vdekjet në vendin e punës, po aq faj ka edhe Inspektorati i Punës, thotë sindikalisti Azemi.

“Unë këtë vit nuk kam parë ndonjë aksion të madh të Inspektoratit të Punës, që së paku numri i punëtorëve të vdekur të jetë më i vogël, edhe pse, edhe vetëm një nëse vdes, për ne është shumë. Inspektorati i Punës e ka për obligim që të zbatojë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, dhe këta, jo që nuk po mund t’i ndihmojnë dikujt, por Inspektorati ka nevojë që t’u ndihmojë dikush atyre, sepse aty është një katrahurë dhe nuk ke çka pret prej tyre”, tha Azemi.

Radio Kosova ka pyetur Inspektoratin e Punës për numrin e punëtorëve që kanë vdekur si pasojë e lëndimeve në vendin e punës gjatë këtij viti, si dhe ka kërkuar informacione shtesë në lidhje me rastin e vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë. Por, nga Inspektorati nuk kanë kthyer përgjigje, deri në përgatitjen e këtij materiali.