Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbyllur për publikun seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Kjo seancë u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, pasi do të dëgjohet dëshmitari anonim F1.
Fillimisht, prokurori special Naim Abazi para se të nisë dëshminë dëshmitari F1, tha që në pajtim me nenin 289 të Kodit të Procedurës Penale, paraqet kërkesë që seanca të mbyllet për publikun, pasi dëshmitari F1 është anonim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori tha se dëshmitari në fjalë gëzon mbrojtje të identitetit në pajtim me kapitullin VIII të KPP-së dhe se çdo ekspozim që lidhet me identitetin e tij përpara publikut, përbën rrezik real për sigurinë e tij personale dhe mund ta dëmtojë rrjedhën e procedurës penale.
Po ashtu, ai tha se mbyllja e seancës është e domosdoshme pasi përjashtimi i disa individëve nga kjo seancë nuk do të mjaftonte për të siguruar mbrojtjen e kërkuar.
“Prandaj, kërkoj që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të zhvillohet në mënyrë të mbyllur pa praninë e publikut, që të garantohet mbrojtja e dëshmitarit dhe procedurës penale ndaj këtij dëshmitari”, tha Abazi.
Kurse, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se bazuar në dëshminë e dëshmitarit anonim, kanë marrë të gjitha masat për moszbulimin e identitetit dhe se dëshminë do ta japë nga dhoma teknike me video, ku nuk do të mund të shihet fytyra e tij.
Por, prokurori tha se gjatë dhënies së dëshmisë së F1, në ndonjë rrethanë mund të zbulohet identiteti i tij.
Ndërkaq, mbrojtësi i Spasojeviqit, avokati Ljubmir Pantoviq tha se meqenëse ekziston mundësia teknike për ndryshimin e fotografisë dhe zërit, e kundërshton propozimin e prokurorit special.
Edhe avokati i Toliqit, Millosh Deleviq e kundërshtoi propozimin për përjashtmin e publikut nga seanca.
Në anën tjetër, avokati i policit të dëmtuar- Alban Rashiti, Naim Rudari e mbështeti propozimin e prokurorit për mbylljen e seancës, me arsyetimin se mund të zbulohet identiteti i dëshmitarit.
Pas një pauze të shkurtër, gjykatësi Hoti mori aktvendim për aprovimin e propozimit të prokurorit Abazi, andaj seanca u mbyll për publikun gjatë dëgjimit të dëshmitarit F1.
“Aprovohet propozimi i prokurorit që në rastin e dëgjimit të dëshmitarit F1 të përjashtohet publiku, mediet, pasi që masat e marra nga gjykata për ndryshimin e figurës dhe zërit të dëshmitarit nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur qëllimin për shpalljen e këtij dëshmitari anonim”, tha Hoti.
E gjithë kjo, sipas tij, bazuar në dëshmitë dhe rrethanat e rastit për të cilat do të dëshmojë ai, mund të zbulohet identiteti i dëshmitarit.
Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.