Kritikat që LDK ia bëri të dielën Kurtit e Muratit - Gazeta Express
string(50) "kritikat-qe-ldk-ia-beri-te-dielen-kurtit-e-muratit"

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 9:52

Kritikat që LDK ia bëri të dielën Kurtit e Muratit

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 9:52

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka kujtuar se si në vitin 2017 i kishte liruar nga detyra një zëvendëskryeministër dhe tetë ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Duke e sjellë këtë shembull, ai mori shkas nga një vendim i fundit i Gjykatës Supreme që e konsideron nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, si të kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese.

Pas kësaj deklarate, nga VV i reaguan Mustafës, ku deputeti Hekuran Murati i tha se “ishit shkarkuar me mocion mosbesimi”.

Ky reagim i Muratit ndaj Isa Mustafës, bëri që më pas deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të adresojnë kritika në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti e deputetit Hekuran Murati.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në çdo situatë kur shteti s’ka qeveri të legjitimuar, quhet qeveri në detyrë.

“Në çdo situatë kur nuk ke qeveri të legjitimuar, quhet qeveri në detyrë. As mocioni i mosbesimit nuk ta merr të drejtën me qenë kryeministër në detyrë sepse Mustafa dhe ministrat e qeverisë së rrëzuar nga PDK dhe aleatët, vazhduan deri në betimin për deputetë që dolën nga zgjedhjet e rregullta, por ata liruan zyrat e Qeverisë për bankat e Parlamentit”.

“E ju, edhe deputetë, edhe ministra. Sipas kësaj logjike, mundeni me qenë edhe prokuror, edhe gjykatës! Ata që e duan Republiken, e ruajnë dhe e respektojnë. Sovraniteti nuk është veç në një copë toke, por në sallën e Kuvendit të Republikës dhe në zemrën e Kushtetutës së Republikës”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Kurse, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se Kurti e Murati nga 27 marsi kanë vepruar jashtëligjshëm, të reagojë Prokuroria Speciale, shkruan Reporteri.net.

Bajrami, e ka qaujtur Hekuran Muratin e VV-së interpretues të vetëshpallur të Ligjit, Kushtetutës dhe të rrethanave politike në partitë e tjera.

“Hekurani, ky interpretues i vetëshpallur i Ligjit, Kushtetutës dhe i rrethanave politike në partitë e tjera, është në shkelje të vazhdueshme penale që nga 27 marsi. Ai së bashku me Kurtin jo vetëm që kanë vepruar jashtëligjshëm, por kanë bërë joligjore e jokushtetuese edhe institucionet e tjera të vendit”.

“Dogana e Kosovës si institucioni kryesor për mbledhjen e të hyrave buxhetore sot drejtohet nga një person i emëruar në mënyrë tërësisht joligjore dhe jokushtetuese. Prokuroria Speciale duhet të reagojë menjëherë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe ligjshmërinë në vend. ASKUSH MBI LIGJIN”, ka shkruar Bajrami në Facebook.