Visar Ymeri ka komentuar përplasjen publike mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Richard Grenell, pas deklaratës së saj në SHBA lidhur me ndalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit Kosovë–Serbi.
Ymeri vlerësoi se vetë fakti që Osmani ka ndjerë nevojën të sqarojë më vonë deklaratën e saj, është në vetvete një problem serioz për nivelin e komunikimit politik nga përfaqësuesit institucionalë të Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës e bën një deklarim publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një debat në një prej instituteve atje, edhe pastaj këtë deklarim publik ka nevojë me ardh me spjegu në Kosovë, dmth me spjegu çka ka dashtë me thanë – qikjo është në vete problem,” tha Ymeri.
Ai theksoi se lidershipi politik duhet të jetë i qartë dhe i qëndrueshëm në komunikim, veçanërisht kur flet në emër të vendit në skenën ndërkombëtare.
“Pavarësisht deklarimit se a është i qëndrueshëm apo jo, në vete është ky problem, sepse na ish dashtë me pas liderë politik që kur dalin në publik dhe flasin, e dinë çka po flasin dhe e dinë qëllimin pse po e thonë atë që po e thonë. Edhe nëse ti ke nevojë pastaj me shpjegu: ‘jo unë e thashë kështu, jo e mendova kështu’, dmth që s’e paske mendu çka ke dashtë me thanë – dhe kjo është problem i madh.”