Prishtina, kryeqyteti i banesave pa banorë - Gazeta Express
string(41) "prishtina-kryeqyteti-i-banesave-pa-banore"

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 7:08

Prishtina, kryeqyteti i banesave pa banorë

Lajme

Gazeta Express

21/07/2025 7:08

Nëse u hedh një sy ballkoneve të pallateve të reja të Prishtinës, do të shohësh një qytet të gjallë, që vlon nga sirenat dhe zërat e njerëzve. Ndërtesat e betonit shkëlqejnë në dritën e pasdites, dritaret janë të pastra, fasadat të sapongjyrosura dhe gjithçka duket si një tregues i progresit. Por kur afroheni pak më shumë, shpirti i këtij qyteti fillon të duket më i zbehtë. Banesat janë aty – por jo brenda secilës frymon një njeri; banorët mungojnë.

Në një realitet që pak kush e priste, një në çdo tri banesa në Prishtinë qëndron e pabanuar. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të mbledhura gjatë vitit që lamë pas, nga gjithsej 92,703 banesa, 31,368 janë të zbrazëta, duke përbërë 33.8 për qind të totalit. Këto nuk janë banesa të braktisura – përkundrazi, janë të reja, të mobiluara, shpesh të pajisura me teknologji të avancuar, por të boshatisura nga jeta.

Ndërtim galopant, pa strategji

Ky fenomen është pasojë e një kombinimi të faktorëve: një ndërtim galopant pa strategji, një bum investimesh nga diaspora që ndodhin jashtë kornizës së qëndrueshmërisë dhe mungesa e një plani urban afatgjatë për banesat e përballueshme.

Në dekadën e fundit, numri i banesave të pabanuara në kryeqytet është rritur në mënyrë drastike. Në vitin 2011, Prishtina kishte 59,420 banesa, prej të cilave 15,402 (25.9%) ishin të zbrazëta. Në vitin 2024, kjo përqindje është rritur në 33.8%, me mbi 31 mijë njësi banimi bosh. Kjo është një rritje me 7.9 për qind, që tregon një trend të qartë: shtohen banesat, por jo banorët.

Në shumë lagje të reja si Mati 1, Arbëria, Kalabria dhe Lagjja e Spitalit, pallate moderne me ashensorë, herë me parkingje nëntokësore e shpesh në mungesë të tyre, duken si qytete miniaturë, por në realitet shërbejnë më shumë si depo të investimeve të diasporës sesa si hapësira për jetesë reale. Banesat shihen shpesh të mbyllura me dyer të blinduara, perdet e të cilave nuk lëvizin me muaj të tërë.

Pse ndodh kjo? Sepse mijëra kosovarë që jetojnë jashtë vendit i blejnë këto banesa si garanci ekonomike, investim për të ardhmen ose si siguri emocionale për t’u kthyer një ditë në vendlindje. Në thelb, këto janë pasuri të vdekura – nuk gjenerojnë ekonomi, nuk gjallërojnë lagjen, nuk kontribuojnë në jetën e përditshme urbane.

Banesa sezonale, të banuara vetëm gjatë pushimeve

Një problem i veçantë, për të cilin nuk ka të dhëna zyrtare, është numri i banesave që janë ndërtuar, shitur, por asnjëherë nuk janë banuar. Pallatet e reja në periferi të qytetit shpesh shiten me shpejtësi në katet e para, por qëndrojnë të zbrazëta në pjesën më të madhe të vitit. Këto banesa nuk janë as me qira, as të shfrytëzuara për jetesë sezonale, e as të përdorura nga blerësit e tyre.

Ky fenomen përbën një sfidë serioze për politikat publike – sepse, edhe pse numri total i banesave rritet, mungesa e banesave të përballueshme dhe aktive në treg mbetet konstante. Qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë, sidomos të rinjtë, nuk arrijnë të blejnë ose të marrin me qira një banesë për shkak të çmimeve të ngritura nga spekulimi dhe kërkesa artificiale e investimeve të jashtme.

Dora e diasporës në këtë panoramë, evidente

Edhe pse të dhënat zyrtare nuk japin një përqindje të saktë për pronat në pronësi të diasporës, gjithkush që jeton në Prishtinë e di se diaspora ka një dorë të rëndësishme në këtë panoramë. Statistikat për remitencat që nxirren çdo vit nga Banka Qendrore, prononcimet e përfaqësuesve të bizneseve dhe ndërtuesve, si dhe raportimet mediatike të vazhdueshme, flasin për qindra milionë euro të investuara nga jashtë – kryesisht nga Zvicra, Gjermania, Austria dhe SHBA.

Por pa transparencë, pa evidencë të mirëfilltë dhe pa strategji bashkëpunimi me komunitetet e diasporës, këto investime nuk po përkthehen në mirëqenie publike. Përkundrazi, po krijojnë një dysheme të rreme të zhvillimit, ku qyteti rritet në lartësi dhe vëllim, por jo në cilësi dhe kohezion shoqëror.

Një sërë shtetesh – nga Kanadaja në Zvicër – kanë filluar të vendosin taksa të larta për banesat e zbrazëta apo ndalime për blerje të pronave nga jorezidentët. Prishtina, në këtë aspekt, është ende në fazën e vëzhgimit. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë përpjekje serioze për të kufizuar ndërtimin spekulativ, për të rregulluar çmimet apo për të krijuar një skemë tatimore që penalizon pronarët që i mbajnë banesat bosh.

Prishtina ka nevojë për planifikim urban, stimulim të qirasë sociale, bashkëpunim me diasporën në formë strategjike dhe, mbi të gjitha, për transparencë në të dhëna dhe vizion afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.

Regjistrimi 2024: Gati 36 për qind e banesave në Kosovë janë të pabanuara

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin më të fundit nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024, duke ofruar një panoramë të detajuar mbi gjendjen e banesave dhe ndërtesave në të gjitha komunat e vendit. Ky publikim sjell të dhëna të rëndësishme që ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve në sektorin e banimit, planifikimin urban dhe hartimin e politikave të qëndrueshme.

Të dhënat tregojnë se nga gjithsej 581,095 banesa të regjistruara në Kosovë, 35.7 për qind – apo mbi 207 mijë sosh – janë të pabanuara. Këto përfshijnë banesa të destinuara për shitje, qira apo përdorime të tjera, duke reflektuar sfida dhe mundësi për planifikimin urban dhe zhvillimin ekonomik në nivel lokal dhe kombëtar.

Rritje e frikshme e numrit të banesave pa banorë

Në vitin 2011, Prishtina kishte 59,420 banesa, prej të cilave 15,402 (25.9%) ishin të zbrazëta. Në vitin 2024, kjo përqindje është rritur në 33.8%, me mbi 31 mijë njësi banimi bosh. Kjo është një rritje me 7.9 për qind, që tregon një trend të qartë: shtohen banesat, por jo banorët.