Arsenali vazhdon të luftojë për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Sporting CP, Viktor Gyokeres, por bisedimet janë ndërlikuar për shkak të mospajtimeve rreth bonusëve të performancës, ndërkohë që Manchester United raportohet se po përpiqet të përfitojë nga situata.
Klubi londinez dhe sulmuesi suedez kanë rënë dakord për kushtet personale pa probleme, dhe një tarifë fikse prej 54.8 milionë paundësh është pranuar nga të dy klubet. Megjithatë, mosmarrëveshja qëndron te 8.6 milionë paund shtesë në formën e bonuseve, ku Sporting kërkon që ato të jenë të garantuara dhe të arritshme, ndërsa Arsenali dëshiron kushte më të vështira për realizimin e tyre.
Në këtë moment del në skenë Manchester United, që sipas disa raportimeve ka tentuar të ndërhyjë në marrëveshje, duke përfituar nga bllokimi i bisedimeve. Megjithatë, sipas A Bola, Gyokeres i ka refuzuar “Djajtë e Kuq” dhe është i fokusuar vetëm te Arsenali – një zhvillim që me siguri e ka kënaqur mbrojtësin Gabriel Magalhães.
Gabriel, në një intervistë për The Athletic, komentoi përballjen me sulmuesin në ndeshjen e Champions League, ku Arsenali mposhti Sporting me rezultatin 5-1 dhe arriti ta ndalë Gyokeres nga shënimi:
“Kur luajtëm kundër tij, ishte një sfidë e madhe për ne. Tani e dimë që ai është një lojtar i shkëlqyer, që kishte një sezon të jashtëzakonshëm.”
Trajneri Mikel Arteta kishte kërkuar që Gyokeres të ishte pjesë e ekipit për turneun para-sezonal në Azi, por marrëveshja nuk u finalizua me kohë. Ndërkohë, sipas Simon Stone (BBC), ekziston një “ndjesi e fortë” se Manchester United po përdoret si levë presioni në këtë “lojë politike”, dhe se nuk ka interes real për të prishur marrëveshjen e Arsenalit.
Sipas Sport Witness, strukturimi i bonusëve të kërkuar nga Sporting është si më poshtë:
€2.5 milionë pas 20 paraqitjeve të para të Gyokeres
€2.5 milionë të tjera pas edhe 20 ndeshjesh të tjera
€2.5 milionë nëse Arsenali kualifikohet në Champions League për sezonin e katërt radhazi
€2.5 milionë të tjera nëse Gyokeres bën edhe 20 paraqitje në sezonin 2026/27
Arsenali kërkon që një pjesë e këtyre kushteve të jenë më të vështira për t’u arritur, gjë që ka sjellë stanjacion në marrëveshje.
Pavarësisht këtyre vonesave, Gyokeres mbetet objektivi kryesor i Arsenalit në sulm, dhe lojtari vetë duket se është i vendosur për të kaluar në Emirates./GazetaExpress/