VMRO-DPMNE dhe LSDM tashmë kanë shpallur kandidatët e tyre për të parin e Qytetit të Shkupit. Kryetari aktual i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, do jetë kandidat nga VMRO-DPMNE, ndërsa ish-ministrja e Mjedisit Jetësor, Kaja Shukova, do jetë kandidate nga opozitarja LSDM, shkruan Portalb.mk.
“Shkupi është model i një qyteti ku të gjitha komunat duhet të zhvillohen në mënyrë të koordinuar dhe të barabartë, në bashkëpunim me qytetin. Shkupi meriton më shumë. Meriton të marrë frymë. Meriton të jetojë. Meriton të duhet. Do të punojmë së bashku, do të marrim vendime së bashku. Le ta rikthejmë shkëlqimin e Shkupit – për një Qendër më humane, Karposh, Kisella Vodë, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Shutkë, Butel, Saraj, Gazi Babë, Çair”, tha Shukova.
Nga VMRO-DPMNE duke komentuar punën e Shukovës derisa ajo ishte ministre, theksuan se Shukova nuk bëri asgjë për mjedisin, për ajrin më të pastër, për menaxhimin e mbeturinave, etj.
“Gjatë mandatit të saj si ministre nga shkurti i vitit 2023, ajo vetëm dilte në publik dhe si e incizuar, vetëm përsëriste se nevojitet shumë kohë për të zgjidhur çdo problem në mjedis. Nëse Shukova nuk bëri asgjë si ministre, shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjë si kryetare e Shkupit, veçanërisht për një Shkup pothuajse të shkatërruar nga Danella Arsovska, e cila me të drejtë mund të quhet vetëm ‘nëna e kaosit urban’”, tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE-ja.
Kryetare aktuale e Qytetit të Shkupit është Danella Arsovska. Arsovska nuk do kandidojë sërish.
Kujtojmë se, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të muajit gusht. Të njëjtat pritet të mbahen në tetor 2025. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.
tag_katrorimaqedoni_2