Real Madrid ka qenë shumë aktive javët e fundit, duke finalizuar katër afrime që nga fillimi i verës. Klubi është gjithashtu i fokusuar edhe në shitje dhe rinovime kontratash me disa nga lojtarët aktualë.
Gjatë 24 orëve të fundit, është raportuar se Thibaut Courtois do të nënshkruajë një kontratë të re, e cila do ta mbajë në klub përtej vitit 2026, kur i përfundon marrëveshja aktuale. Edhe Raul Asencio pritet të rinovojë së shpejti, dhe të dy do t’i bashkohen Brahim Diaz në listën e lojtarëve me kontrata të reja.
Brahim, i cili ka lënë përshtypje që nga rikthimi në vitin 2023 pas një huazimi trevjeçar te Milani, është bërë një lojtar i rëndësishëm për Real Madridin. Kjo është reflektuar edhe në ofertën e kontratës së re që ai e ka pranuar. Sipas Fabrizio Romano, marrëveshja është arritur dhe tashmë pritet vetëm firma dhe njoftimi zyrtar.
Skuadra e parë e Real Madrid do të rikthehet në stërvitje për sezonin e ri pas disa javësh, me një përgatitje parasezonale më të shkurtër për shkak të angazhimit në Kupën e Botës për Klube. Sapo të kthehet në Madrid, pritet që Brahim të firmosë kontratën e re.
Brahim ishte një element i rëndësishëm për Carlo Ancelottin, dhe mund të ketë rol edhe më të madh nën drejtimin e Xabi Alonsos – veçanërisht nëse Rodrygo largohet, gjë që është përfolur shumë së fundmi. Që nga rikthimi te klubi, ai ka shënuar 18 gola dhe ka dhënë 15 asistime – shifra mbresëlënëse duke pasur parasysh që nuk ka qenë gjithmonë titullar.
Interesante është se lajmet për rinovimet e Courtois dhe Brahim vijnë menjëherë pasi u raportua se e ardhmja e Vinicius Junior në Madrid është bërë e pasigurt. 24-vjeçari ishte pranë nënshkrimit të një kontrate të re, por bisedimet janë ndërprerë, dhe nuk pritet të arrihet një marrëveshje përpara fundit të verës./GazetaExpress/