Real Madrid po punon për t’i ofruar trajnerit të ri, Xabi Alonso, një skuadër sa më të fortë për sezonin e ardhshëm, dhe kjo do të përfshijë si afrime të reja, ashtu edhe rinovime kontratash me lojtarë kyç.
Trent Alexander-Arnold ka kaluar te “Los Blancos” si lojtar i lirë nga Liverpooli, ndërsa Dean Huijsen është transferuar nga Bournemouth për 50 milionë paund. Klubi ka nënshkruar gjithashtu me Alvaro Carreras dhe talentin argjentinas Franco Mastantuono, ndërsa Alonso synon të nisë pozitivisht aventurën në “Santiago Bernabéu”.
Alonso e ka bërë tashmë debutimin e tij me Realin, por u eliminua në gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube nga Paris Saint-Germain, pasi më parë kishte mposhtur Juventusin dhe Borussia Dortmundin. Ai mbërrin në Madrid pas suksesit të madh te Bayer Leverkusen, ku arriti një vend të parë dhe një të dytë në Bundesliga.
Prioriteti i tij i parë do të jetë rikthimi i titullit të La Ligës, i humbur ndaj Barcelonës sezonin e kaluar, dhe klubi është gati të bëjë më shumë lëvizje në merkato për të përforcuar skuadrën. Përveç afrimeve të reja, Real Madrid thuhet se po planifikon edhe rinovime të rëndësishme kontratash me disa nga lojtarët më të rëndësishëm.
Pas largimit të Luka Modric, të cilit iu përfundua kontrata, Alonso do të kërkojë të zëvendësojë jo vetëm cilësitë teknike, por edhe lidershipin në dhomën e zhveshjes. Në kërkim të një kapiteni të ri, një nga kandidatët kryesorë është portieri Thibaut Courtois, i cili po hyn në sezonin e tij të shtatë me Realin pas transferimit nga Chelsea në vitin 2018.
Courtois ka kontratë deri në verën e vitit 2026, por drejtuesit e klubit spanjoll raportohen të jenë të prirur t’i ofrojnë një rinovim afatgjatë përtej kësaj date. Edhe pse Real Madrid tradicionalisht nuk u ofron më shumë se një vit shtesë lojtarëve mbi 30 vjeç (herën e fundit e bëri këtë për Cristiano Ronaldon në vitin 2016), sipas Relevo (përmes football-espana), klubi është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë të re dyvjeçare Courtois-t, e cila do ta mbante në Madrid deri në verën e vitit 2028, kur ai do të ishte 36 vjeç – duke thyer kështu rregullin e tyre tradicional.
Courtois është pranë ndeshjes së tij të 300-të me Real Madridin, ndërsa më parë kishte luajtur mbi 150 ndeshje me rivalët e Atletico Madrid. Me Realin ka fituar 14 trofe të mëdhenj, duke qenë një nga shtyllat kryesore të suksesit të klubit në dekadën e fundit.