Një gjykatë amerikane ka pranuar kërkesën e Radios Evropa e Lirë për një masë të përkohshme në padinë e saj kundër Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), për shkak të dështimit të agjencisë për t’i dhënë kësaj media fondet e miratuara nga Kongresi amerikan.
Gjyqtari Royce Lamberth nga Gjykata në Uashington tha në vendimin e tij, të dhënë më 18 korrik, se USAGM duhet të disbursojë fondet e mbetura të miratuara nga Kongresi për vitin fiskal 2025 për REL-in, duke përfunduar se kushtëzimi i fondeve nga ana e agjencisë me vendosjen e kushteve të reja për grantin, si dhe dështimi për të negociuar në mirëbesim me REL-in, përbëjnë shkelje të ligjit.
“Sipas informacioneve të kësaj gjykate, është e paprecedent që një agjenci të kërkojë që kushte tërësisht të reja të rregullojnë marrëdhënien e saj disa dekadëshe me një entitet përfitues të grantit dhe më pas të ndalojë komunikimin, veçanërisht kur agjencia është e detyruar me ligj të japë çdo vit fonde të miratuara nga Kongresi për atë entitet specifik”, shkroi ai.
Kërcënimi për ndalimin e financimit të transmetuesit ka shkaktuar një valë mbështetjeje globale nga organizata mbikëqyrëse të medias, analistë dhe avokues të demokracisë, si dhe nga audiencat në 27 gjuhë dhe 23 vende ku Radio Evropa e Lirë transmeton.
Gjyqtari Lamberth tha në vendimin e tij se “mosrespektimi flagrant nga ana e USAGM-së sa i përket detyrimeve të saj për financim” e ka detyruar REL-in “të dërgojë në pushim administrativ punëtorë, të anulojë programe dhe ka shkaktuar dëm të pashmangshëm në ndikimin global që REL-i ka ndërtuar për dekada me radhë”.
Steve Capus, presidenti dhe drejtori ekzekutiv i REL-it, tha përmes një deklarate se ky vendim është “kulmimi i përpjekjeve të palodhura ligjore për ta detyruar USAGM-në të lirojë fondet e nevojshme për të përmbushur misionin jetik të REL-it”.
“Kjo fitore u jep gazetarëve tanë shtytjen e nevojshme për të vazhduar të arrijnë te gati 47 milionë njerëz çdo javë, të cilët mbështeten te gazetaria jonë për fakte dhe për të kundërshtuar propagandën keqdashëse të qeverive autoritare”, deklaroi ai.
“Tani më shumë se kurrë, nuk mund t’i lëmë tiranët të zotërojnë hapësirën e informacionit”, shtoi Capus, duke vënë në dukje se me këtë vendim, “REL-i mund të vazhdojë të avancojë interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së”.
USAGM është një agjenci e pavarur qeveritare amerikane që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacionit në më shumë se 60 gjuhë për mbi 400 milionë njerëz çdo javë.
Buxheti i përgjithshëm i kërkuar për USAGM-në për vitin fiskal 2025 ishte 950 milionë dollarë, për të financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale të agjencisë.
Këtu përfshihen media si REL-i, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Transmetimeve për Kubën (Radio Marti), Rrjetet e Transmetimit për Lindjen e Mesme (MBN) dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Sipas dokumenteve të USAGM-së, kërkesa për buxhetin e vitit 2025 për REL-in ishte rreth 153 milionë dollarë./REL/