Galatasaray ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të forcuar portën në prag të sezonit të ri. Sipas raportimeve të mediumit turk Daily Sabah, klubi otoman i ka bërë një ofertë zyrtare Manchester City-t për të siguruar shërbimet e portierit brazilian Ederson, i cili aktualisht është titullar nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Oferta e klubit turk raportohet të jetë rreth 10 milionë euro, një shumë e konsiderueshme duke pasur parasysh që Ederson ka kontratë me Cityn deri në qershor 2026. Megjithatë, drejtuesit e Galatasarayt besojnë se Ederson do ta marrë pozitivisht këtë sfidë të re sportive dhe mundësinë për të udhëhequr një projekt ambicioz që synon ta rikthejë klubin e Stambollit mes elitës së futbollit evropian.
Për më tepër, për ta joshur 31-vjeçarin, Galatasaray thuhet se i ka ofruar një kontratë me pagë vjetore prej 7.5 milionë euro, një shumë shumë tërheqëse që do ta rendiste atë ndër lojtarët më të paguar të skuadrës.
Megjithatë, ky operacion nuk pritet të jetë i lehtë. Ederson është një element kyç në skemën e Manchester Cityt dhe largimi i tij do të kërkonte jo vetëm një ofertë të mirë financiare, por edhe dëshirën e vetë lojtarit për të kërkuar horizonte të reja.
Propozimi i Galatasarayt e bën të qartë synimin e tyre në këtë merkato: ata duan të konkurojnë në nivelin më të lartë dhe janë të gatshëm të bëjnë investime të mëdha për ta arritur këtë. Tani mbetet të shihet nëse Ederson do ta pranojë këtë sfidë të re./GazetaExpress/