Barcelona ka konfirmuar lajmin që ishte përfolur gjerësisht gjatë kësaj jave: nuk do të organizojë trofeun Joan Gamper në “Spotify Camp Nou”. Punimet e vonuara ndjeshëm në rikonstruksionin e stadiumit pritet të lejojnë zhvillimin e ndeshjes së parë në La Liga gjatë fundjavës së 14 shtatorit, pra më pak se dy muaj larg.
Gjigantët katalanas kanë marrë këtë javë licencën e parë nga dy të nevojshme për të pritur ndeshje në “Spotify Camp Nou”, por sipas përditësimeve më të fundit, ata ende nuk kanë përfunduar aplikimin për të dytën. Klubi kishte nevojë për këtë leje për të pritur trofeun Gamper në stadium që këtë javë, për të pasur kohë për përgatitjet, por tashmë Barcelona ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja nuk do të zhvillohet në Camp Nou.
Barça kishte planifikuar të zhvillonte ndeshjen më 10 gusht ndaj klubit italian Como, dhe të mirëpriste në rikthim 60,000 tifozë në “Camp Nou”. Por me vendimin e fundit, takimi do të zhvillohet në Estadi Johan Cruyff, stadium që ndodhet në kompleksin stërvitor të klubit dhe që mban vetëm 6,000 spektatorë, dhjetë herë më pak se sa pritej fillimisht.
Për më tepër, RAC1 raporton se UEFA ka dyshime nëse Barcelona do të mund të presë ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”. Ndeshja e parë është planifikuar për 16–18 shtator, vetëm pak ditë pas asaj që parashikohet si ndeshja e parë në La Liga në stadiumin e rikonstruktuar.
Fillimisht ishte raportuar se Barça ka nevojë të zhvillojë një ndeshje në Camp Nou për të zyrtarizuar për auditorët vendosjen e vendeve VIP, të cilat janë dhënë me qira për 30 vite për 100 milionë euro. Kjo do të mundësonte përfshirjen e të ardhurave në llogaritë e klubit dhe rritjen e kufirit të pagave, duke i mundësuar klubit të rikthehet në rregullin 1:1 të shpenzimeve. Megjithatë, sipas Diario AS, nuk është e nevojshme që vendet VIP të jenë në përdorim, por vetëm të jenë përfunduar, dhe klubi është në pritje të një certifikate nga kompania ndërtuese Limak për të konfirmuar këtë gjë.
Sidoqoftë, kjo nuk do të ishte hera e parë që optimizmi i Barcelonës për shitje aseti nuk shkon sipas planit – duke rritur edhe më shumë pasigurinë për fillimin e sezonit në shtëpinë e re të rikonstruktuar.