Filmreview/ “Sophie Scholl” – në kërkim të kuptimit - Gazeta Express
string(46) "filmreview-sophie-scholl-ne-kerkim-te-kuptimit"

Arte

Gazeta Express

18/07/2025 17:22

Filmreview/ “Sophie Scholl” – në kërkim të kuptimit

Arte

Gazeta Express

18/07/2025 17:22

Përkitazi me filmin “Sophie Scholl – The Final Days” të regjisorit Marc Rothemund.

Ardiana Abazaj

Mes flijimit për ideal dhe kërkimit për kuptim në jetë. Një libër që duhet lexuar dhe një film që duhet parë.

Dy vepra arti që kanë pasqyruar në mënyrë brilante këto dy pikëreferime sa antitezë me njëra tjetrën dhe njëkohësisht po aq të ngjashme në thelbin e tyre: kanë qenë filmi Sophie Scholl- die letzten Tage nga regjisori Marc Rothemund dhe vepra Në kërkim të kuptimit nga Viktor Frankl.

Çfarë janë vuajtjet dhe idealet? A vuajnë të gjithë njerëzit në jetën e tyre? Pse disa vendosin që vuajtjen ta kthejnë në forcë për një jetë më të mirë për veten dhe gjithë komunitetin dhe disa të tjerë në ferr dhe humnerë për veten dhe te tjerët. A ia vlen sakrifica dhe vetëflijimi për të mirat e përgjithshme dhe ata qe dinë që kanë një detyrë për të përmbushur kanë më shumë arsye për të jetuar apo për tu flijuar?

Të filmi “Sophie Scholl – die letzten Tage”, film ky i bazuar në ngjarje të vërtetë, motra Sofia (Julia Jentsch) dhe vëllai i saj Hans (Fabian Hinrichs), dy studentë të Fakultetit të mjekësisë, si përfaqësues të organizatës dhe lëvizjes për rezistencë “Trëndafili i bardhë”, duke shpërndarë fletushka që demantonin luftën e Hitlerit dhe kërkonin unitet të populli gjerman, se ky i fundit nuk do ta fitonte luftën kurrë dhe se parimet mbi të cilat ishte ndërtuar ideologjia e tij, ishin një vetëshkatërrim për popullin gjerman dhe gjithë njerëzimin në përgjithësi; bën që këta të zihen nga policia naziste dhe të sillen para gjyqit popullor si tradhtarë dhe urrejtës të një Gjermanie të madhe. Ata pastaj do të gjykohen dhe do të urdhërohet që t’u priten kokat në po të njëjtën ditë. 

Në anën tjetër libri i Viktor Frankl, “Në kërkim të kuptimit”, një psikiatri hebre me nënshtetësi austriake, i mbijetuar i një prej kampeve të përqendrimit, rrëfen për vuajtjet e vet autorit dhe shumë njerëzve që kishin fatin e tij dhe se si gjatë këtyre viteve në kamp më mirë se çdo kund tjetër gjatë jetës se tij autori kishte kuptuar se njeriun mbi të gjitha e mbanë gjallë shpresa për diçka a dikë dhe se kush di të shpresojë ka edhe arsye për të jetuar.

Pikërisht këtu bashkohen të dy karakteret, edhe Sofia, pavarësisht fatit të saj të trishtë, në momentin kur kupton, se po flijohet për një ideal, kupton se ka gjetur kuptim në vuajtjen e saj. Sipas Frankl vdekjet më të mëdha kishin ndodhur në vitin 1944 dhe 1945, në dhjetor, jo për shkak të ushqimit më të dobët apo kushteve më të rënduara, por për faktin se të internuarit  kishin humbur shpresën për t’i kaluar Krishtlindjet me familjet e tyre. Njësoj sikurse Sofia me vëllain e saj e kolegët e tyre – luftojnë me laps kundër ideologjisë naziste, pavarësisht se i takonin të njëjtit popull. Edhe Frankl rrëfen se, më të ashpër dhe monstruoz ishin rojet në kamp që kishin prejardhje hebreje, sesa disa prej tyre që ishin gjerman. Ishte pikërisht njëri prej shefave të kazermës, i cili ishte bërë sikur kishte ndodhur një gabim në listë dhe V.F duhej të largohej nga lista e atyre që do të shpërnguleshin për në “Kampin e pushimit”.

Janë të njohura citatet e tij në ketë libër, sidomos ajo e Niçes, “Ai që ka një arsye për të jetuar, mund të përballojë çdo mënyrë jetese” ose ajo e Spinozes “Vuajtja resht së qeni vuajtje, në momentin kur gjen një kuptim, siç është kuptimi i sakrificës”. 

Ishin pikërisht dorëshkrimet për logoterapinë e tij, të cilat ia kishin djegur, dhe dëshira e tij e zjarrtë për t’i ribotuar një ditë e kishte mbajtur gjallë, si dhe kujtimi dhe shpresa për ritakim me gruan e tij. “Dëgjo, Oto! Nëse nuk kthehem në shtëpi tek ime shoqe, dhe nëse ti arrin ta takosh përsëri, thuaji se kam biseduar me të çdo ditë, çdo orë. Duhet t’i mbash mend këto fjalë! Së dyti, thuaji se e kam dashuruar më shumë se çdo kush tjetër. Së treti, thuaji se koha e shkurtër, gjatë së cilës kam qenë i martuar me të, ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër, edhe se gjithçka që kemi kaluar këtu.”

Një mbikëqyrës i bllokut të barakave i kishte rrëfyer Frankl se kishte parë një ëndërr dhe se i ishte kërkuar të bënte çfarëdo lloj pyetje, sigurisht që ky i fundit kishte dashur të dinte kur do të merrte fund lufta dhe të fillonte çlirimi, specifikisht për të. Ëndrrën e kishte parë në shkurt, zëri i kishte thënë: do të çlirohesh me 30 mars. Sa më shumë që afrohej kjo datë aq më shumë i vdisnin shpresat për liri, kështu që me 29 mars u sëmur rendë nga ethet, me 30 mars u dorëzua komplet dhe me 31 mars kishte dhënë shpirt. Në këtë mënyrë, zëri i ëndrrës kishte të drejtë. Këtu autori tregon sesa e ngushtë është lidhja e shëndetit fizik me atë mendor. E njëjta ndodh edhe me Sofinë, një natë para ekzekutimit, i rrëfen  gardianës që i rrinte pranë, se kishte parë në ëndërr se kishte lindur një fëmijë të shendosh dhe gjatë kohës sa e mbante në dorë, për vete futej nën dhe, ndërsa fëmija shpëtonte. Sipas Sofisë fëmija simbolizonte triumfin e idealit të tyre ndërsa futja nën tokë, flijimin e saj për këtë ideal. Është e dhimbshme skena kur në takim pak para ekzekutimit, Sofia u drejtohet prindërve të saj me fjalët: 

-Mos u merakosni për mua sepse po të më vinte mundësia prapë do të kisha vepruar në të njëjtën mënyrë.

-Dhe ke vepruar ashtu siç duhet, ia kthen i ati i saj. 

V. Frankl, si përfaqësues i Logoterapisë apo siç quhet nga autorë të tjerë  Shkolla e tretë vjeneze e psikoterapisë përqendrohet të kuptimi i ekzistencës njerëzore dhe kërkimi i njeriut për një kuptim të tillë. Sipas tij, gjatë një studimi në Francë para disa viteve, rezultatet kishin treguar se 89 për qind e njerëzve pranonin se njeriu ka nevojë për “diçka”, mbi të cilën të mbështetët jeta  e tyre. Ndërsa një hulumtim tjetër me 7948 studentë në 48 kolegje i kryer nga sociologë të Universitetit “Johns Hopkins”. Kur u pyeten se çfarë konsideronin të rëndësishme në jetën e tyre, 15 për qind thanë të fitojnë më shumë para dhe 78 për qind prej tyre thanë se qëllimi i tyre parësor ishte “gjetja e një kuptimi apo motivi në jetën e tyre”.

Autori shprehet poashtu se boshllëku ekzistencial është fenomen i shek. XX dhe kjo ka ardhur gradualisht prej krijimit të tij e deri me sot. Ndonjëherë njeriu nuk e di as vet çka do, dhe kështu ose do të bëj si njerëzit e tjerë, futet ne konformizëm, ose bën atë që të tjerët  dëshirojnë që ai të bëj, totalitarizëm. Në raste te tjera, vendi i vullnetit të frustruar për kuptim zëvendësohet nga dëshira për kënaqësi. Dhe kështu mund të kuptojmë se ne boshllëkun ekzistencial, dëshira seksuale bëhet e pakontrollueshme. Dhe ndër shumë çka që mund të citohet nga ky libër, dashuria është e vetmja që na ndihmon të kuptojmë një qenie tjetër njerëzore, në dimensionin më të thellë të personalitetit të saj.

Shënim: filmi është i bazuar në librin me të njëjtin titull: Frankl Viktor E. 2019: “Në kërkim të kuptimit”, përkthyer nga Blendi Lami, Minerva-Onufri, Tiranë, Prishtinë