Armët dhe municioni për përdorim civil janë në mesin e produkteve që Serbia eksporton më së shumti në Shtetet e Bashkuara. Por, tarifat e reja prej 35%, që SHBA-ja ka paralajmëruar se do të hyjnë në fuqi nga 1 gushti, mund ta godasin rëndë këtë industri.
Sipas Entit Republikan të Statistikave të Serbisë, këto produkte janë mes dhjetë më të eksportuarave drejt SHBA-së, gjatë viteve të fundit.
Millojko Bërzakoviq, ish-drejtor i kompanisë serbe të armëve “Zastava Oruzhje” në Kragujevc, thotë se industria mund t’i mbijetojë kësaj goditjeje, nëse të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e eksportit e ndajnë barrën.
“Secili mund të heqë dorë nga një pjesë e fitimit. Fabrika mund t’i ulë çmimet, e po ashtu edhe tregtarët, ndërsa blerësit në tregun amerikan do të duhet të përballojnë një pjesë të kostos, pasi çmimet do të rriten”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Eksportuesit më të mëdhenj të armëve nga Serbia në SHBA janë “Zastava Oruzhje” nga Kragujevci dhe “Prvi Partizan” nga Uzhica – kompani që janë kryesisht në pronësi shtetërore.
“Zastava” shet në tregun amerikan armë sportive dhe për gjueti, të destinuara për stërvitje dhe përdorim civil, ndërsa fabrika në Uzhicë eksporton municion.
Të dyja kompanitë kanë zyra përfaqësuese në SHBA: “Zastava arms USA” dhe “PPU USA ammunition”.
Më 7 korrik, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35% për importet nga Serbia, duke filluar nga 1 gushti.
Ato do të jenë pjesë e një politike të re doganore të SHBA-së për një numër vendesh.
Trump njoftoi për tarifat e reja përmes letrave drejtuar udhëheqësve të vendeve, duke bërë me dije se ato nuk do të aplikohen nëse ato vende ose kompanitë e tyre vendosin të prodhojnë brenda SHBA-së.
Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq, vlerëson se tarifat më të larta do të përbënin një goditje serioze.
“Armët nga Serbia në SHBA kanë çmime konkurruese. Nëse do të shtrenjtoheshin, besoj se blerësit do të tregonin interes për ato që janë më lirë, sepse gjithçka shihet përmes dollarit. Në mënyrë indirekte, ky edhe është qëllimi i masave të reja të administratës amerikane – që Amerika të kthehet në prodhimin vendas”, thotë Radiq për Radion Evropa e Lirë.
Në faqen e internetit të “Zastava Arms USA” shihet se produkti kryesor i fabrikës së Kragujevcit në tregun amerikan është varianti i pushkës M70, i bazuar në sistemin sovjetik “Kallashnikov”.
Kjo armë në SHBA shitet në formën e një pushke sportive gjysmë-automatike.
Çmimi mesatar i një kallashnikovi nga Kragujevci, sipas informacioneve nga ueb-faqja e shitësit, është rreth 1.500 dollarë.
“Në SHBA, ‘Zastava’ është një markë e respektuar, sepse e ka dëshmuar cilësinë e saj gjatë dekadave të fundit. Nga prodhimi në Kragujevc, në SHBA shkon një pushkë gjysmë-automatike, e bërë nga një version automatik i kallashnikovit. Ligji u lejon atyre të posedojnë armë gjysmë-automatike”, thotë Bërzakoviq.
Përveç këtyre pushkëve, fillimisht të njohura si AK-47, “Zastava” eksporton në SHBA edhe municione për këtë armë me kalibër 7.62×39 mm, pjesë këmbimi, pushkë snajper, karabina, pistoleta, pushkë gjuetie dhe thika.
Fabrika e Kragujevcit ka një kontratë shumëvjeçare për të furnizuar SHBA-në me armë sportive dhe gjuetie, me vlerë prej 234 milionë dollarësh.
Në dhjetor të vitit 2021, drejtori i atëhershëm i fabrikës “Zastava Oruzhje”, Millan Petkoviq, ka thënë se “kjo siguron shfrytëzimin e plotë të kapacitetit për pesë vjetët e ardhshëm”.
Radiq thotë se duhet pritur tarifat e reja, për të parë se çfarë mekanizmi do të zbatohet.
“Deri atëherë, municionet eksportohen në Amerikë me kërkesë të tregut amerikan, i cili konsumon sasi të mëdha të kalibrave të ndryshëm. Serbia prodhon municione jostandarde, siç janë ato për kallashnikovin, dhe ato i shet ‘Zastava’”, thotë Radiq.
Qeveria e Serbisë, Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi, “Zastava Oruzhje”, “Zastava Arms USA” dhe Dhoma e Tregtisë e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me rritjen e pritshme të tarifave amerikane.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Serbi i tha Radios Evropa e Lirë se do të vazhdojë të mbështesë marrëdhënie sa më të mira ekonomike midis dy vendeve.
“Shpresojmë që të gjendet një mënyrë që vazhdimi i tregtisë midis SHBA-së dhe Serbisë të mos rëndohet nga tarifat shtesë”, tha ajo.
Të dhënat për eksportin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, përfshirë ato drejt SHBA-së, nuk janë të qasshme publikisht në Serbi, viteve të fundit.
Sipas raportit vjetor të Serbisë, të publikuar nga Traktati për Tregtinë e Armëve (ATT) me seli në Gjenevë, Serbia ka eksportuar në vitin 2024 drejt SHBA-së 1.757 sisteme artilerie të kalibrit të madh, ndërsa një vit më parë kishte eksportuar 208 copë.
Bërzakoviq thotë se programi ushtarak është “një rrëfim tjetër” krahasuar me atë civil.
“Amerika nuk është importuese e madhe për forcat e saj të armatosura nga prodhuesit në Serbi, kështu që nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem në atë fushë”, thotë ai.
Radiq thekson se, në vitet e mëparshme, nga Serbia në SHBA janë eksportuar pushkë automatike, mitraloza dhe mortaja.
“SHBA-ja i planifikonte ato për vendet e treta, që janë aleatë të saj. Në vitet e fundit, ka arsye të supozohet se bëhet fjalë kryesisht për eksportimin e municioneve për nevojat e forcave të armatosura ukrainase”, thotë Radiq.
Në fund të qershorit, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse njoftoi se municioni i prodhuar në Serbi po dërgohej në vendet anëtare të NATO-s, të cilat më pas ia dorëzonin Ukrainës.
Beogradi e ka mohuar disa herë se Serbia eksporton armë në Ukrainë apo Rusi, duke theksuar se nuk ka kontroll mbi destinacionin përfundimtar të armatimit, pas shitjes në vendet e treta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në fillim të qershorit për gazetën The Jerusalem Post se ai është “i vetmi në Evropë që aktualisht tregton municion ushtarak me Izraelin”.
Pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit një javë më vonë dhe pas pyetjeve nëse Serbia ka zgjedhur anë në atë konflikt, Vuçiq njoftoi më 23 qershor se shteti serb ka pezulluar eksportin e municionit.