Të pavend dhe shfaqje të papjekurisë politike e konsideron ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaratën e presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se presidenti amerikan, Donald Trump, javët e fundit ka parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës.
Pavarësisht se e para e shtetit, të enjten, deklaroi se në muajin maj kishte informacione specifike se Serbia po përgatitej për një përshkallëzim të situatës, Hasani thekson se presidentja Osmani nuk mund të flasë në emër të një shteti të tretë, sado mik që të jetë SHBA për Kosovën.
Hasani, në një intervistë për KosovaPress, tha se deklaratat e fundit të presidentit Trump, ku përmend Kosovën dhe Serbinë, po bëhen për shkak se çështjet e sigurisë globale janë përgjegjësi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten deklaroi se në fund të muajit maj kanë marrë informacione specifike për veprime konkrete të Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Ajo theksoi se për këtë çështje ka informuar aleatët e vendit, madje përmendi edhe një deklaratë të ministrit në detyrë, Ejup Maqedonci, ku bëhej e ditur se ushtria serbe ishte pozicionuar afër kufirit me Kosovën.
Megjithatë, Osmani theksoi se qytetarët nuk kanë arsye për panik apo shqetësim, pasi institucionet e vendit e kanë situatën nën kontroll.
Sipas tij, rezervimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të komentuar deklaratat e presidentit Trump është një veprim i mençur, pasi nuk mund të interpretohen apo komentohen deklaratat e një presidenti të një vendi të tretë, sado mik që ai të jetë./KP/