Moskonstituimi i Kuvendit deri më 26 korrik, çfarë pasoja mund të ketë? - Gazeta Express
string(69) "moskonstituimi-i-kuvendit-deri-me-26-korrik-cfare-pasoja-mund-te-kete"

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 14:38

Moskonstituimi i Kuvendit deri më 26 korrik, çfarë pasoja mund të ketë?

Lajme

Gazeta Express

18/07/2025 14:38

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i paraparë nga Kushtetuesja, pasojë juridike për deputetët mund të jetë decertifikimi i tyre. Sipas tij, ky është skenari më real që mund të ndodhë në krizën aktuale politike, megjithatë thekson se Kushtetuesja, në aktgjykimin ku do të caktohet decertifikimi i deputetëve, duhet të lokalizojë shkeljen dhe shkelësin e Kushtetutës.

Hasani, në një intervistë për KosovaPress, thotë se kryeministri në detyrë, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të bëjë marrëveshje politike me askënd. Sipas tij, Kurti nuk dëshiron të formojë qeverinë për shkak të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilit, siç thotë, i ka dhënë formën e autonomisë, si dhe për shkak të korrupsionit dhe hajnisë gjatë katër viteve të fundit, që sipas Hasanit, Kurti tani nuk po mundet t’i menaxhojë.

Kuvendi i Kosovës, edhe pas pesë muajve nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të zgjedhë organet e legjislativit, çka më pas do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit qershor, ka dalë me një aktgjykim ku i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, ndërsa kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga afati, nuk po arrihet pajtimi për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe organeve të tjera të Kuvendit.

Sipas Hasanit, Kushtetuesja ka gabuar që nuk ka caktuar pasojë juridike në afatin e paraparë tridhjetëditor, por shton se ajo mund të e përcaktojë këtë më vonë, përmes kërkesave të reja të dorëzuara nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.

“Afati juridik që nuk prodhon pasojë është absurd. Kjo ka qenë gabimi më i madh i Kushtetueses. Duhej që në pjesën operative të specifikohej qartë se çfarë veprimesh duhet të pasojnë. Gjykata Kushtetuese mund të operacionalizojë shumë dimensione dhe të thotë: ‘Kjo është pasojë, ajo është pasojë’, përfshirë edhe decertifikimin. Kjo është e mundshme. Nëse caktohet decertifikimi, atëherë duhet të lokalizohet edhe shkelja dhe shkelësi i Kushtetutës. Gjykata duhet ta shterë këtë çështje duke u bazuar në arsyetimin e saj – po flas për gjykimin e fundit – dhe të adresojë prerogativën e partisë fituese të zgjedhjeve. Sepse ky problem do të rikthehet sa herë që vendi shkon në zgjedhje. Duhet të sqarohet nëse kjo është e drejtë kushtetuese apo thjesht një privilegj që mund të abuzohet pa fund. Nëse gjykata e sqaron këtë, mund të përcaktojë edhe kur humbet kjo e drejtë, dhe atëherë të çojë te decertifikimi – duke respektuar parimin e proporcionalitetit”, thekson Hasani.

Duke e analizuar politikisht situatën, Hasani nuk e sheh të mundshme arritjen e një marrëveshjeje politike para datës 26 korrik. Sipas tij, Kurti – lideri i partisë që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk dëshiron ta formojë qeverinë e re.

“Nga aspekti politik, unë besoj që zoti Kurti nuk ka ndërmend të bëjë koalicion me askënd. Jam thellësisht i bindur që kjo do të shkojë deri në pafundësi, edhe sikur të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ai vendim i fundit ishte i qartë, por pjesa operative e tij ishte e pazbatueshme. Kjo çështje mund të zgjidhet nëse ka vullnet, por nuk ka. Pse mendoj që Kurti do ta çojë deri në fund këtë krizë? Janë dy arsye: Së pari, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Ai i ka dhënë mish një strukture që deri tani ka qenë nebulë. Me konceptin e vetëmenaxhimit, ka krijuar bazën për një sistem paralel kushtetues dhe ka pranuar statutin. Këto nuk ndryshohen lehtë. Ky është faktori i parë pse ai dëshiron të pengojë implementimin dhe të paraqitet si “martir” në një proces që në fakt është produkt i tij. Së dyti, korrupsioni dhe hajnia në këtë qeveri janë bërë kaotik dhe horizontal. Në qeveritë e mëparshme korrupsioni ka qenë endemik, por tani është i shpërndarë gjithandej, dhe i pamundur për t’u menaxhuar nga qeveritarët”, thekson Hasani.

Sa i përket rolit të presidentes Osmani, Hasani thekson se ajo nuk ka të drejtë që përmes pyetjeve kushtetuese të kërkojë pasojat juridike për moskonstituimin e Kuvendit pas afatit të caktuar.

Hasani: Kurti ka uzurpuar postet në ekzekutiv, pas vendimit të Supremes mund të ketë pasoja penale

Sipas tij, Kushtetuesja mund të marrë një aktgjykim të ri dhe të definojë qartë pasojat juridike, bazuar në kërkesat e dërguara nga PDK dhe LDK, pas rifillimit të seancës konstituive, me insistimin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit – përkundër vendimit të mëparshëm të Kushtetueses.

Hasani shton se deri në vendimmarrjen e re të Kushtetueses, seanca konstituive duhet të vazhdojë çdo 48 orë dhe jo të ndërpritet.

“Nëse nuk ka konstituim dhe nuk ka vendim të ri nga Gjykata Kushtetuese, seanca duhet të vazhdojë. Ekziston një Kushtetutë, një rregullore, dhe një aktgjykim i vitit 2013, si dhe ai i fundit para tri javësh. Gjykata Kushtetuese i sqaron çështjet me kërkesë të palëve, por edhe vetë, nëse çështja është e qartë dhe prek rendin kushtetues. Nuk ka asnjë paqartësi për skenarin e konstituimit të Kuvendit – vetëm se deri tani nuk ishte sqaruar nëse duhej bërë brenda 30 ditëve, apo mund të shtyhej. Gjykata Kushtetuese tashmë ka sqaruar që duhet bërë brenda 30 ditëve. Nuk ka treguar pasojat juridike, por skenari për veprim është i qartë. Skenari i përcaktuar më 8 prill parashikon qartë rrugët e votimit dhe mënyrën e zgjidhjes. Devijimi nga ai skenar është në kundërshtim me Kushtetutën”, përfundon Hasani. /Kosovapress