Autoritetet gjermane kanë hartuar një plan gjithëpërfshirës emergjence për spitalet në Berlin, për t’u përgatitur ndaj skenarëve të mundshëm lufte. Sipas mediave lokale, plani është rezultat i një bashkëpunimi dyvjeçar mes Ministrisë së Shëndetësisë të Berlinit, ushtrisë gjermane dhe 12 spitaleve të kryeqytetit. Për arsye sigurie, ai mbetet i klasifikuar.
Plani i emergjencës adreson situata kritike si sulmet ushtarake në zonën metropolitane, kërcënimet hibride, fatkeqësitë natyrore dhe shembjen e infrastrukturës. Mes prioriteteve të tij janë: sigurimi i shërbimeve spitalore gjatë konflikteve, shpërndarja e pacientëve në raste emergjente, garantimi i furnizimeve mjekësore, medikamenteve dhe energjisë rezervë, përcjell albinfo.
Ky plan i ri mbrojtjeje civile vjen në një kohë tensionesh të larta në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë. Së fundmi, udhëheqësit ushtarakë dhe të inteligjencës gjermane kanë paralajmëruar se Rusia mund të sfidojë gatishmërinë mbrojtëse të NATO-s dhe potencialisht të sulmojë një vend anëtar brenda katër viteve të ardhshme.
Sipas tyre, Rusia po shton forcat dhe kapacitetet konvencionale dhe deri në fund të dekadës, ushtria ruse mund të jetë e gatshme për një sulm të mundshëm ndaj NATO-s.