Një zjarr masiv në një hipermarket në qytetin al-Kut në pjesën lindore të Irakut ka lënë të paktën 60 njerëz të vdekur e 11 të tjerë të zhdukur, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” të enjten autoritetet shëndetësore lokale dhe dy burime policore.
Në videot që po qarkullojnë në rrjete sociale shihet flaka duke e kapluar ndërtesën 5-katëshe në al-Kut gjatë natës, përderisa zjarrfikësit po mundoheshin që ta vinin nën kontroll zjarrin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kjo agjenci nuk arriti t’i identifikonte në mënyrë të pavarur videot.
🇮🇶 At least fifty people have been killed after a large fire broke out at shopping mall in the city of Kut in eastern Iraq, the governor reported. pic.twitter.com/M28jNVTR72
— CAIN (@XTechPulse) July 17, 2025
“Ne kemi hartuar një listë me 59 viktima identitetet e të cilave janë konfirmuar, por një trup ishte aq keq i djegur, saqë ishte tepër vështirë që të identifikohej” – tha një zyrtar shëndetësor në këtë qytet.
“Kemi më shumë trupa që nuk janë nxjerrë, ende nën rrënojat e zjarrit” – i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar lokal i quajtur Ali al-Mayahi.
Shkaktari i zjarrit nuk qe menjëherë i ditur, por guvernatori i provincës tha se rezultatet fillestare të një hetimi do të shpallen brenda 48 orësh, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, INA.
“Kemi paraqitur padi kundër pronarit të ndërtesës dhe të qendrës tregtare” – citohet të ketë thënë guvernatori.