Katër komunave – Ferizaj, Lipjan, Drenas dhe Vushtrri – u janë bllokuar llogaritë bankare si pasojë e kontratave kolektive. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se si rrjedhojë shumë projekte janë ndërprerë në ato komuna.
Ibrahimi ka kritikuar nivelin qendror për mosgatishmëri të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Sipas tij, nuk ka pasur gatishmëri as nga Qeveria e as nga Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e fundit që të merren më të.
“Niveli qendror nuk ka qenë i gatshëm në asnjë rast t’i përkrahë komunat në zgjidhjen e këtij problemi. Ne për disa vite kemi kërkuar zgjidhjen e këtij problemi. Nëse niveli qendror ka gatishmëri për zgjidhjen e këtij problemi, është shumë e thjeshtë. Një vijë buxhetore për mbulimin e kostos që burojnë nga kontrata kolektive. Kjo v ijë duhet të parashihet nga Ministria e Financave, pastaj të futet në buxhetin e Kosovës dhe me aq përfundon. Por niveli qendror nuk ka treguar asnjë gatishmëri”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Ibrahimi ka shtuar se Asociacioni ka parashtruar edhe një propozim se ku të gjenden mjetet financiare për të mbuluar kontratat kolektive, por se ka theksuar se asnjë përgjigje nuk kanë marrë nga Qeveria.
“Duke marrë parasysh që niveli qendror qe disa vite nuk arrin t’i shpenzojë investimet kapitale dhe i teprojnë me qindra miliona euro, kemi propozuar që ato mjete përdorini për këtë. Ata nuk japin përgjigje fare. Thonë se përgjigjet do t’i merrni me shkrim dhe asnjëherë nuk janë përgjigjur”, ka potencuar ai.
Vetëm gjatë vitit të shkuar, 86 milionë euro kanë shpenzuar komunat për pagesa të vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore. Kontrata kolektive parasheh përfitime financiare për punonjësit e arsimit, si pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzime të udhëtimit e deri te paga shtesë pas pensionimit.
Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit. Por, qeveritë e deritashme qendrore nuk u kanë dhënë atyre buxhet shtesë për këtë qëllim.
Punonjësit e arsimit, të cilët nuk kanë përfituar, u janë drejtuar gjykatave dhe kur rasti është përmbyllur në favor të tyre, ata kanë arritur që të nxjerrin kompensim nga buxheti i Komunës.