Pacientët me kancer po detyrohen ta sigurojnë vetë terapinë, pasi në Klinikën e Onkologjisë mungon një pjesë e ilaçeve të nevojshme.
Ata ankohen se vetëm dy prej barnave po u kushtojnë rreth 200 euro.
Zejnepe Haxhimehmeti, e cila para një muaji është diagnostikuar me kancer, është dashur që nga xhepi i saj t’i sigurojë barnat e nevojshme për trajtim.
Ajo thotë se vetëm dy medikamente i kushtuan 170 euro, të cilat mungojnë në Klinikën Onkologjike në QKUK.
Ndonëse terapinë e merr në Klinikën e Onkologjisë, edhe Florije Rexhepit iu desh që medikamentet t’i blejë në barnatore private.
Se ka mungesë të një sërë barnash e konfirmoi për RTK-në edhe drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Përmes telefonit, ai tha se problemi qëndron tek operatorët ekonomikë, për çka kërkoi që t’i drejtohemi barnatores së QKUK-së.
“Barnatorja e di, ne i kemi dërguar të gjitha dërgesat, problemi qëndron tek operatorët ekonomikë, te furnizimi me barna, ata kanë pasur vonesa. Shumica e barnave janë, por ka disa barna që nuk janë që një javë-dy. Morfinë kemi, leukoplastë herë-herë nuk ka. Barnatorja i ka të gjitha të dhënat, ata i lidhin kontratat”, ka thënë Kurtishi.
Mungesa ka edhe në klinikat tjera.
Me mungesë të barnave dhe materialit shpenzues po përballen edhe klinikat tjera në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për çka qytetarët po duhet t’i sigurojnë ato nga xhepi i tyre.
Pacientët thonë se në barnatore private barnat po u kushtojnë shtrenjtë.
Megjithatë, pati edhe qytetarë që thanë se terapia e nevojshme u është siguruar nga QKUK.
Mungesa e barnave po ndodh në kohën kur buxheti për material shpenzues, barna esenciale, e materiale e shërbime të tjera të nevojshme shëndetësore është 105 milionë euro, rreth 45.6 milionë më shumë sesa vitin e kaluar.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, institucion i cili e menaxhon këtë buxhet, nuk kanë pranuar të deklarohen për RTK-në. Përveç kësaj, Zyra për Informim në SHSKUK nuk ka dhënë leje që drejtori i Onkologjisë të deklarohet rreth këtyre mungesave.
E një përgjigje gjatë ditës nuk e kanë kthyer as nga Ministria e Shëndetësisë.