Një hetim i përbashkët i mediumeve Detektor dhe CU SENS ka zbuluar ekzistencën e kampeve paraluftarake në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi, ku janë trajnuar shtetas moldavë nën mbikëqyrjen e instruktorëve rusë të lidhur me grupin famëkeq Wagner.
Maxim Rosca, një moldav 41-vjeçar, ka pranuar se ka qenë dy herë në kampet e trajnimit – një herë në një kamp afër Banjës së Lukës, dhe herën e dytë në fshatin Radenka të Serbisë, pranë kufirit me Rumaninë. Ai ka treguar se pjesëmarrësve u merreshin pasaportat dhe telefonat dhe u mësohej përdorimi i dronëve, psikologjia e luftës dhe provokimi i autoriteteve gjatë protestave.
Gjatë kontrollit kufitar në Moldavi, autoritetet kanë zbuluar pajisje ushtarake, dronë të çmontuar, VR syze dhe instruksione për eksplozivë në makinën ku ndodhej Rosca dhe katër persona të tjerë.
Moldavia ka nisur proces gjyqësor ndaj të paktën katër personave të përfshirë. Anatolii Prizenco, një biznesmen që dyshohet se rekrutonte të rinj përmes garave paintball, u arrestua në Kishinev dhe dyshohet si organizator i këtyre trajnimeve. Ai kishte lidhje me aksione të sponsorizuara nga Rusia edhe në Paris.
Ndërkohë, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë fillimisht mohuan ekzistencën e kampeve, por tani është konfirmuar se Prokuroria e Shtetit ka hapur një rast penal. Një kamp në fshatin Glamocan, pranë Banjës së Lukës, dhe një tjetër në Radenkë të Serbisë janë identifikuar si lokacione të trajnimeve.
Sipas autoriteteve moldave, këto trajnimet kishin për qëllim destabilizimin e Moldavisë përmes protestave të dhunshme para zgjedhjeve presidenciale. Në listën e shërbimit sekret moldav janë përfshirë edhe figura të lidhura me grupin Wagner, si Mikhail Potepkin dhe Aleksandr Volkhonski, me sanksione ndërkombëtare mbi ta.
Zyrtarët moldavë kanë akuzuar edhe autoritetet në BiH për mungesë bashkëpunimi, ndërsa Rusia e ka quajtur çështjen propagandë perëndimore.
Kampet trajnuese në Ballkan po shihen si pjesë e një strategjie më të gjerë të ndikimit rus në Evropën Lindore.