Historia e familjes kosovare: Nga fondacioni me emrin e motrës së vrarë në sulmin terrorist në Norvegji, te djali i sëmurë me kancer - Gazeta Express
string(130) "historia-e-familjes-kosovare-nga-fondacioni-me-emrin-e-motres-se-vrare-ne-sulmin-terrorist-ne-norvegji-te-djali-i-semure-me-kancer"

Lajme

Gazeta Express

15/07/2025 12:17

Historia e familjes kosovare: Nga fondacioni me emrin e motrës së vrarë në sulmin terrorist në Norvegji, te djali i sëmurë me kancer

Lajme

Gazeta Express

15/07/2025 12:17

Lejla Selaci me prejardhje nga Vushtrria ishte një nga 77 viktimat e sulmit terrorist të 11.07.2011 në Utoya të Norvegjisë, ku ekstremisti Andres Breivik kishte kryer aktin ndaj civilëve, që ishin kryesisht të rinj.

Kur vëllai i saj, Azemi, bashkë me shokë dhe shoqe të tjerë, në dhjetor të vitit 2011 kishte themeluar fondacionin “Leja Selaci Minnefond” me qëllim për të ndihmuar fëmijët në nevojë, ai nuk e kishte menduar asnjëherë se një ditë djali i tij do të kishte nevojë për ndihmën e të tjerëve.

Azemi motrën e tij Lejlën e kishte varrosur me 08.08.2011, ndërsa fiks 11 vite më pas me 08.08.2022 kishte lindur djali i tij, të cilit ia lë emrin Lorenc.

Përderisa kishin ardhur në Kosovë për pushime gjatë vitit të kaluar, Lorenci 2-vjeçar rrëzohet duke luajtur dhe fillon të ketë fryrje në trup nga lëndimi.

Por edhe pas disa kohësh nga lëndimi, fryrjet në trup atij nuk i ishin larguar.

Kjo kishte bërë që Azemi ta dërgojë Lorencin për ekzaminime më specifike, ku edhe e kishin kuptuar që ai vuan nga një sëmundje e rëndë.

“Ai e ka një sëmundje kancerogjene të rrallë dhe të rënd që quhet Neuroblastoma, më saktësisht e ka në shkallë të katër me përhapje, metastaza” – rrëfen Azemi për KALLXO.com.

“Kjo sëmundje është shumë e rrezikshme dhe e rëndë. Ajo trajtohet me kimioterapi cytostatika me doza normale dhe doza të larta, bashkë me mbështetje të qelizave staminale, operacion, ku mundohen me ia heq shumicën e tumorit kryesorë. Këtu ndodhë shpesh që edhe veshkën ose gjëndrën mbiveshkore ia heqin, për shkak të komplikimeve.”

Azemi thotë se operacioni i Lorencit ka zgjatur 9 orë, ku shumica e tumorit kryesor i është hequr, mirëpo sipas tij, ka ende qeliza kancerogjene të trup dhe rreth arteries kryesore të zemrës.

“Aktualisht është duke u trajtuar në spitalet norvegjeze, Rikshospitalet dhe Kalnes. Këtu ka me marrë trajtime si kimioterapi me doza normale, doza të larta dhe doza shtesë. Deri më tani i ka pasur 13 seanca të ndryshme dhe 10 lloje të ndryshme të kimios” – vazhdon rrëfimin Azemi.

Azemi thotë se sipas informatave që ka marrë nga disa mjekë, një konsultim mjekësor në SHBA kushton 3 mijë deri në 5 mijë euro, ndërsa trajtimi në Zvicër kushton nga 50 mijë deri në 100 mijë euro, në varësi të gjendjes.

“Tash për momentin priten radioterapi dhe imunoterapi, të cilat kanë efekte anësore si dobësi muskulare, humbje të flokëve, kancer sekondar, shpesh herë më agresiv, humbje të dëgjimit, dëmtime.”

Mjekët në Norvegji i kanë thënë Azemit që të vazhdojë këto trajtime. Ai thotë se mendimet e mjekëve janë se djali ka një sëmundje të rëndë dhe që nga fillimi kanë rekomanduar trajtim sa më të shpejtë.

Azemi thotë se për momentin nuk po mund të merr përkrahje nga shteti norvegjez, për shkak se ai është duke e kërkuar trajtimin në Zvicër ose Gjermani, ku është tjetër formë e trajtimit.

Sipas tij, shteti norvegjez ndihmon në aspektin financiar për trajtime që janë si brenda shtetit, por jo trajtime të tjera.

“Unë kam biseduar me mjekët për këtë gjë, ata më kanë këshilluar dhe më kanë rekomanduar të qëndrojë me këtë trajtim që është duke marrë djali për momentin, për arsye që nuk mbështesin trajtime me medicinë alternative ose biologjike” – thotë Azemi.

“Zyra shtetërore që mbulon trajtime jashtë vendit nuk më ndihmojnë me ndihmë financiare ose logjistike për shkak që trajtimin që unë jam duke e kërkuar prej Gjermanisë dhe Zvicrës është ndryshe prej kësaj në Norvegji”.

Azemi thotë se për dallim prej trajtimit në Norvegji, ku djali i tij ka marrë trajtime të forta, trajtimet në Gjermani dhe Zvicër, sipas tij, e ruajnë trupin e fëmijës gjatë trajtimit.

Për shembull, thotë ai, në këto dy vende mund të trajtohet me hipertermi – që është ngrohje e kontrolluar e tumorit që dobëson qelizat kancerogjene; Terapi me ozon – që përmirëson qarkullimin, pastron trupin apo ndihmon kundër inflamacionit.

“Vaj i kanabisit pa THC vetëm CBD, që është ekstrakt nga kanabisi, jo-psikoativ që ulë inflamacionin dhe nxit vet-shkatërrimin e qelizave kancerogjene” – bën të ditur Azemi.

Në ndërkohë, ai i është drejtuar mediave në Kosovë që të bëjnë publike rastin e djalit të tij, në mënyrë që të mblidhen para për të mbuluar koston e trajtimit.

Ata gjithashtu kanë hapur një GoFundMe, në përpjeke për të mbledhur sa më shumë të holla.

“Linkun për GoFundMe e kemi hapur për shkak se plot njerëz na kanë thënë se kanë probleme e nuk po dinë se ku të japin donacionet për djalin. Para disa ditëve një shok i imi që ka shku në të njëjtën shkollë si motra Lejla, e ka hapur një fond në faqen Spleis, një faqe norvegjeze ku edhe ka mbledhje fondesh. Për këtë arsye kemi hapur GoFundMe ku shqiptarët kanë japur donacione” – thotë Azemi.

Me shpresën se do të tejkalojë sfidën dhe djali tij të shërohet, Azemi thotë se dëshiron që t’i rikthehet fondacionit të krijuar në emër të motrës së tij, që të vazhdojë ndihmën dhe qëllimin për të cilin ishte krijuar.

Ai thotë se Lejla, motra tij, ka qenë vetëm 17-vjeçare kur është vrarë, ndërsa ka qenë anëtare e Rinisë së Partisë Laburiste Norvegjeze (AUF) dhe ka qenë aktive në politikë dhe të drejtat e njerëzve.

“Lejla ka qenë një vajzë aktive, e angazhuar dhe nuk do të harrohet kurrë. Idealet e saj do të mbesin gjallë përgjithmonë. Emri i saj shërben si simbol për projektin që gërsheton vlerat familjare, solidaritetin dhe përkrahjen e fëmijëve në nevojë, SOS Fshatrat e fëmijëve, ku është e vendosur pllaka me emrin e saj” – rrëfen Azemi, duke shpresuar në ndihmën e njerëzve për shërimin e djalit të tij.