Një 17-vjeçare në Vlorë tentoi t’i jepte fund jetës ditën e djeshme. Ajo qëlloi veten me armë zjarri dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë policia ka vënë në pranga babain e së miturës, i cili akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes” si dhe ka proceduar në gjendje të lirë gjyshin e saj, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia njofton se ka vënë në pranga shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë.
Ndërsa gjyshi i 17-vjeçares, shtetasi P.H, 76 vjeç dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.
Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.